9 QERSHOR 2017
KOREJA E JUGUT
Gjykata e Koresë së Jugut merr parasysh të drejtat e njeriut të atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje
Më 1 maj 2017, Gjykata Administrative e Seulit vendosi se veprimi i Zyrës Administrative të Rekrutimit Ushtarak (ZARU) duke i turpëruar publikisht si dezertorë ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, mund t’u sjellë dëme të pariparueshme. Gjykata vendosi se zyra duhet të pezullojë publikimin në sitin e saj zyrtar të të dhënave personale të atyre që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, derisa të merret vendimi për padinë administrative të ngritur ndaj ZARU-s. Kjo zyrë e ka zbatuar urdhrin e pezullimit.
Nuk janë dezertorë
Në fillim të 2015-s, zyrtarët e ZARU-s njoftuan ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes se do t’ua publikonin të dhënat personale si dezertorë ushtarakë. Zyra ishte në dijeni të situatës së tyre, pasi të gjithë e kishin njoftuar me shkrim para datës së rekrutimit se për shkak të ndërgjegjes kishin vendosur ta refuzonin shërbimin ushtarak. Gjithsesi, ata ishin të gatshëm të kryenin shërbim alternativ civil. Pavarësisht kësaj, më 20 dhjetor 2016, ZARU publikoi në sitin e saj emrin, moshën, adresën dhe informacione të tjera të secilit, duke i kategorizuar si dezertorë.
Giong-çan Parku, një Dëshmitar i Jehovait që refuzoi ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, u shokua kur në sit pa emrin e tij mes 237 personave të klasifikuar si dezertorë. Ai tha: «Qëndrimi i vendosur për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes është i sinqertë, dhe jam i vetëdijshëm se do të ketë persona që e kritikojnë qëndrimin tim. Megjithatë, më trazon fakti që autoritetet qeveritare më konsiderojnë ‘dezertor’. Sigurisht që ZARU i njeh aq mirë Dëshmitarët dhe motivet tona, sa të pranojë se refuzimi i këtij detyrimi qytetar nuk është për arsye egoiste.» Ai shtoi: «Kur pashë emrin dhe adresën në këtë listë publike, nuk e mohoj, kisha frikë se mos dikush më vinte në shtëpi e më sulmonte.»
Në kërkesën për të pezulluar publikimin e të dhënave në sit, 140 Dëshmitarët argumentuan se ligji për shërbimin ushtarak përkufizon si dezertor atë që nuk i përgjigjet urdhrit për rekrutim «pa pasur arsye të vlefshme». Këta burra thanë se nuk janë dezertorë dhe kanë «arsye të vlefshme», sepse ligji në Korenë e Jugut dhe detyrimet ndërkombëtarë kërkojnë që të njihet e drejta për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjykata Kushtetuese në Korenë e Jugut ende nuk ka marrë një vendim për njohjen e kësaj të drejte.
Gjykimi jo i drejtë rëndon dënimet
Gjithashtu, Dëshmitarët argumentuan se presioni i kritikave nga shoqëria, ndonëse i ka rrënuar mendërisht e i ka poshtëruar, nuk ka arritur t’ua ndryshojë bindjen në lidhje me refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në Korenë e Jugut, më tepër se 19.000 Dëshmitarë të Jehovait i kanë rezistuar presionit dhe, të gjithë së bashku kanë vuajtur më se 36.000 vite burg në 60 vitet e fundit. Ata e shohin publikimin e të dhënave personale si një formë tjetër ndëshkimi nga ana e qeverisë së Koresë së Jugut. Dhe kjo për ta është po aq negative sa etiketimi si persona me precedentë penalë, thjesht ngaqë duan të ndjekin ndërgjegjen.
Mezi e presin vendimin e gjykatës
Dëshmitarët e Jehovait në Korenë e Jugut i janë mirënjohës gjykatës që e ka njohur çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe shpresojnë që ky vendim të ndikojë pozitivisht në padinë administrative që do të shqyrtohet së shpejti. Ata po përgatitin edhe një kërkesë për Komisionin Kombëtar të të Drejtave të Njeriut në Korenë e Jugut që të japë në gjykatë një mendim zyrtar në lidhje me këtë çështje, e cila do të shqyrtohet më 28 qershor 2017.