Kalo te përmbajtja

Selia e Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Seul, Koreja e Jugut

25 JANAR 2017
KOREJA E JUGUT

Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut kërkon të respektohet liria e ndërgjegjes

Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut kërkon të respektohet liria e ndërgjegjes

Më 9 dhjetor 2016 Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut i Koresë së Jugut (Komisioni) paraqiti opinionin e tij për ankesat që po shqyrton Gjykata Kushtetuese. Ai analizonte të drejtën për të refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Duke arsyetuar mbi standardet e fundit për të drejtat e njeriut, Komisioni arriti në përfundimin se kjo është një e drejtë themelore që nuk mund të kufizohet dhe që qeveria duhet ta mbrojë.

Është domethënëse që Komisioni vendosi se kjo e drejtë themelore e njeriut është «arsye e vlefshme» për të mos bërë ushtrinë. Komisioni i bëri thirrje qeverisë që nëpërmjet miratimit të «një shërbimi civil alternativ të dobishëm për shoqërinë» të shmangë përplasjen midis standardeve të kushtetutës për lirinë e ndërgjegjes dhe detyrimit të shërbimit ushtarak.

Sipas Komisionit është komplet e kotë t’i burgosësh ata që nuk kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Në opinionin që paraqiti, thuhej: «Qëllimi i ndëshkimit është të ndalojë ose të parandalojë krimet. Por, shumica e atyre që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje nuk pendohen dhe s’heqin dorë nga vendimi nga frika se mos ndëshkohen. . . . Ja pse ndëshkimi është i kotë.»

Komisioni ripërsëriti vendimin e 26 dhjetorit 2005 se Republika e Koresë duhet të sigurojë një shërbim alternativ që të mos ketë përplasje midis të drejtës për të refuzuar në bazë të ndërgjegjes dhe detyrimit për të mbrojtur kombin. * Në përputhje me detyrimin e tij për të mbështetur të drejtat e njeriut, Komisioni ia paraqiti këtë opinion Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojë para se të marrë vendimin.

«E drejta për të mos kryer ushtrinë për arsye ndërgjegjeje mbrohet nga liria e ndërgjegjes që garantojnë Kushtetuta dhe ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndëshkimi i atyre që nuk kryejnë ushtrinë me akuzën se po shkelin Ligjin për Shërbimin Ushtarak ndërkohë që ka një mënyrë si të përmbushin detyrimin për të mbrojtur kombin nëpërmjet shërbimit alternativ, bie ndesh me lirinë e ndërgjegjes.»—Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, vendimi i 28 nëntorit 2016

Mundësi për sukses

Duke komentuar mbi vendimin e Komisionit, profesori i juridikut Jae-seung Lee, pohoi: «Nëse qeveria e Koresë së Jugut vendos ta respektojë ‘të drejtën universale të njeriut’ për të refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, atëherë mund të aplikojë shërbimin civil alternativ. Po e bëri këtë, i sugjeroj të shqyrtojë me kujdes standardet ndërkombëtare për shërbimin civil alternativ që ky program të dalë sa më i suksesshëm.»

Dae-il Hong, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Korenë e Jugut, tha: «Që nga gushti 2012, kur Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi sërish këtë çështje, janë burgosur më se 2.000 të rinj Dëshmitarë të Jehovait. Mezi presim që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim në përputhje me standardet ndërkombëtare që respektojnë jetën dhe paqen. Shpresojmë që burgosjet të marrin fund dhe të rinjtë Dëshmitarë të mund t’i shërbejnë komunitetit pa shkelur ndërgjegjen.»

^ par. 5 Më 11 korrik 2008 Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut i kërkoi për të dytën herë ministrit të mbrojtjes të vendoste shërbimin alternativ për ata që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Për më tepër, më 26 nëntor 2007 Komisioni paraqiti opinionin e tij kundër ndëshkimit të përsëritur të rezervistëve që për hir të ndërgjegjes nuk marrin pjesë në stërvitje ushtarake.