Kalo te përmbajtja

Disa nga delegacioni që nënshkroi peticionin, familjarë dhe skuadra ligjore pas nënshkrimit të peticionit për të njohur të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes

8 SHTATOR 2017
KOREJA E JUGUT

Në Korenë e Jugut rritet përkrahja e së drejtës për të refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Në Korenë e Jugut rritet përkrahja e së drejtës për të refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Në korrik të 2015-s Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut mbajti një seancë dëgjimore për çështjen e refuzimit të ushtrisë për arsye ndërgjegjeje. Që nga ajo kohë, shoqëria po e përkrah gjithnjë e më shumë këtë të drejtë. Edhe pse Gjykata nuk ka marrë ende një vendim dhe as është miratuar një legjislacion i ri, Koreja e Jugut po bën hapa përpara për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Opinionet e gjykatave më të ulëta, opinioni publik, komunitetet ligjore, si edhe grupet kombëtare e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut janë pro një zgjidhjeje që nuk ndëshkon ata që ushtrojnë lirinë e ndërgjegjes.

Gjykatat marrin një kthesë të paprecedentë

Gjatë javës që filloi më 7 gusht 2017, gjykata shpalli të pafajshëm shtatë të rinj që kishin refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Ky vendim është i paprecedentë. Në historinë ligjore të Republikës së Koresë, gjykatat kanë burgosur mbi 19.000 veta, sepse s’kanë kryer ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Megjithatë, 38 nga 42 vendimet e pafajësisë për këtë çështje janë dhënë që nga maji i 2015-s dhe 25 prej tyre në 2017-n.

Disa gjykata i kanë shtyrë për më vonë çështjet në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, ndaj numri i çështjeve të lëna pezull, është rritur. Z. Du-jin Oh, avokat që ka përfaqësuar shumë prej atyre që refuzojnë ushtrinë për këtë arsye, vërejti se është pesëfishuar numri i çështjeve pezull në krahasim me disa vite më parë.

Rritja e numrit të vendimeve pozitive nga gjykatat (6 në 2015-n, 7 në 2016-n dhe 25 në 2017-n) dhe shtimi i çështjeve të lëna pezull (nga një mesatare prej 100 çështjesh, numri është rritur në mbi 500) tregojnë një kthesë në qëndrimin e sistemit gjyqësor të Koresë së Jugut.

Mjaft vëzhgues dallojnë një kthesë në qëndrimin e sistemit gjyqësor të Koresë së Jugut. Kur dhanë vendime për pafajësinë, shumë gjykata vunë në dukje se të ndëshkosh ata që s’kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes ngaqë mungon shërbimi alternativ civil, është shkelje e lirisë së ndërgjegjes që garantohet në kushtetutë. Të tjera e kanë cilësuar «arsye të vlefshme» refuzimin për të mos pranuar thirrjen për ushtar për shkak të ndërgjegjes, sipas Ligjit për Shërbimin Ushtarak.

Opinioni publik

Edhe pse opinioni publik nuk është faktori përcaktues për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Ministria e Mbrojtjes nuk ka pranuar ta zgjidhë këtë çështje, duke u justifikuar se mungonte mbështetja e popullit. Ama, opinioni publik po ndryshon. Më 2005, vetëm 10 për qind e të intervistuarve ishin dakord që të njihej e drejta për të mos kryer ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Por, një sondazh i bërë në maj 2016 tregoi se 70 për qind e të anketuarve ishin dakord të miratohej shërbimi alternativ. Në korrik 2016 Shoqata e Avokatëve të Seulit bëri një sondazh tjetër që tregoi se mbi 80 për qind e avokatëve e mbështetnin këtë nismë.

Opinionet dhe vendimet e organizmave për të drejtat e njeriut

Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore (NHRC) vërejti se ndryshimi i qëndrimit në Korenë e Jugut i nxiti ligjvënësit të propozonin futjen e shërbimit alternativ në tri projektligje që iu paraqitën Asamblesë Kombëtare në seancën e qershorit 2017. Gjithashtu, NHRC-ja u kushtoi vëmendje opinioneve dhe vendimeve të organizmave ndërkombëtarë, të cilët nxitën këtë veprim, pastaj shqyrtoi si i përmbushnin këto projektligje standardet ndërkombëtare për shërbimin alternativ civil. NHRC-ja i paraqiti qeverisë së Koresë së Jugut përfundimet e saj për një program shërbimi alternativ civil që përmbush standardet ndërkombëtare dhe që pranohet nga Dëshmitarët e Jehovait e nga të tjerët.

Një premtim dhe një kërkesë

Më 10 maj 2017 u emërua si president Jae-in Moon, i cili përveç përvojës si avokat i të drejtave të njeriut, bëri edhe këtë premtim: «Liria e ndërgjegjes është një e drejtë themelore me një rëndësi të veçantë në Kushtetutën tonë. Prandaj premtoj të miratoj shërbimin alternativ dhe t’i jap fund burgosjes së atyre që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje.»

Avokati i dorëzon peticionin një zyrtari

Më 11 gusht 2017 një delegacion që përfaqësoi 904 kundërshtarë për arsye ndërgjegjeje, i paraqiti një peticion presidentit të ri, në të cilin kërkonin që qeveria të njohë të drejtën për të refuzuar ushtrinë, duke liruar të burgosurit e duke miratuar programin për shërbimin alternativ civil. Në kohën kur u paraqit ky peticion, ishin në burg 360 nënshkrues të tij, ndërsa 544 ishin në gjyqe të shkallëve të ndryshme për të njëjtën arsye.

Një mundësi për të bërë histori në fushën e të drejtave të njeriut

Hyun-soo Kim

Hyun-soo Kim, një nga nënshkruesit, shpjegoi çfarë domethënieje kishte për të ky peticion: «Mezi pres të miratohet një shërbim alternativ sipas standardeve ndërkombëtare, një shërbim alternativ tërësisht civil që nuk lidhet me ushtrinë e as mbikëqyret prej saj. Jam gati t’i shërbej shoqërisë, të ndihmoj në raste katastrofash ose të punoj ku të më caktojnë. Do të isha i kënaqur të jepja kontributin tim për komunitetin.»

Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë janë të lumtur që ka ndryshuar opinioni i atyre që mund të përshpejtojnë ndryshimin e një politike që ka dënuar mijëra burra gjatë shtatë dekadave. Dëshmitarët i janë mirënjohës presidentit Moon, anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe gjykatave të Koresë së Jugut që janë vërtet të interesuar të respektojnë e të ndihmojnë ata që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje.