Kalo te përmbajtja

9 SHKURT 2016
KOREJA E JUGUT

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nxit Korenë e Jugut të njohë të drejtën e refuzimit të ushtrisë

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nxit Korenë e Jugut të njohë të drejtën e refuzimit të ushtrisë

Pasi analizoi me kujdes raportin e Koresë së Jugut për të drejtat e njeriut, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut paraqiti vërejtjet përfundimtare më 3 nëntor 2015. Komiteti pranoi se Koreja e Jugut ka ndërmarrë hapa pozitivë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por theksoi se nuk ka zbatuar vendimet e mëparshme të Komitetit për refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

E drejta e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë

Edhe pse refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes pranohet në të gjithë botën si e drejtë themelore e njeriut, Koreja e Jugut vazhdon t’i ndëshkojë ata që nuk pranojnë të shkojnë në ushtri për shkak të ndërgjegjes. Që nga 1950-a, gjykatat atje kanë dënuar mbi 18.000 Dëshmitarë të Jehovait me thuajse 36.000 vjet burg në total.

Raporti i Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nxiti qeverinë që:

  • Të lirojë menjëherë të gjithë të burgosurit që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

  • T’u sigurojë një dëshmi penaliteti të pastër, t’u japë dëmshpërblimin e duhur dhe të sigurohet që të dhënat e tyre personale të mos bëhen publike.

  • Të njohë ligjërisht të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe t’u japë mundësinë e shërbimit civil alternativ atyre që refuzojnë.

Përgjegjëse për zbatimin e detyrimeve të marrëveshjes

Që nga 2006-a, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë 5 vendime, ku fajëson qeverinë e Koresë së Jugut se nuk ka miratuar ligje që mbrojnë të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes dhe se ka ndëshkuar ata që kanë kërkuar këtë të drejtë. * Raporti i fundit i Komitetit nxiste dhe një herë qeverinë «të krijojë procedurat dhe mekanizmat e nevojshëm që të aplikojë vendimet e Komitetit», si edhe të zbatojë gjithë vendimet e tij të mëparshme.

Pas daljes së raportit, Seong-ho Lee, kryetar i Komisionit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kore, pranoi shkeljet e të drejtave të njeriut të përmendura në raport. Në një deklaratë publike ku këshillonte qeverinë që të zbatonte rekomandimet e Komitetit, z. Lee tha në përfundim: «Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e plotë të ICCPR-së [Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike].»

Si shtet anëtar i këtij pakti, Koreja e Jugut ka marrë përsipër të mbrojë të drejtat e garantuara nga ICCPR-ja. Meqë Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbikëqyr zbatimin e ICCPR-së dhe njeh të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes, Koreja e Jugut shkel paktin për sa kohë nuk zbaton vendimet dhe rekomandimet e Komitetit.

Raporti i fundit i Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut i shtohet opinionit ndërkombëtar që po ngre zërin gjithnjë e më shumë kundër sjelljes së Koresë së Jugut ndaj atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Shumë në Korenë e Jugut dhe në vende të tjera presin me interes reagimin e qeverisë ndaj thirrjes për të përmbushur detyrimet e saj.

^ par. 10 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut merr vendime kur konstaton se një shtet anëtar ka shkelur të drejtat që garanton ICCPR-ja. Pesë vendimet që tregojnë se Koreja e Jugut ka shkelur nenin 18, «të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë», janë: nr. 1321-1322/2004, Yeo-bum Yoon dhe Myung-jin Choi kundër Republikës së Koresë, 3 nëntor 2006; nr. 1593-1603/2007, Eu-min Jung dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, 23 mars 2010; nr. 1642-1741/2007, Min-kyu Jeong dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, 24 mars 2011; nr. 1786/2008, Jong-nam Kim dhe të tjerë kundër Republikës së Koresë, 25 tetor 2012; nr. 2179/2012, Young-kwan Kim dhe të tjerë kundër  Republikës së Koresë, 15 tetor 2014.