Kalo te përmbajtja

19 SHKURT 2015
KOREJA E JUGUT

Koreja e Jugut shpallet fajtore për burgosje arbitrare

Koreja e Jugut shpallet fajtore për burgosje arbitrare

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dënuar qeverinë e Koresë së Jugut për burgosjen arbitrare të personave që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe për shkeljen e së drejtës së tyre për lirinë e ndërgjegjes. Ky është vendimi i pestë i komitetit kundër Koresë së Jugut për burgosjen e atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, por është hera e parë që e quan «arbitrare» burgosjen e tyre. *

Në katër vendimet e mëparshme, ku gjithsej përfshiheshin 501 persona që kishin refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, komiteti u shpreh se Koreja e Jugut kishte shkelur lirinë e tyre të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, garantuar nga neni 18 i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR). Ky vendim i fundit në lidhje me 50 të rinj Dëshmitarë, i cili u mor më 15 tetor 2014 e u bë publik më 14 janar 2015, përfshinte më shumë. * Komiteti tha se duke i dënuar me burg ngaqë ushtrojnë një të drejtë themelore, qeveria shkeli edhe nenin 9 të ICCPR-së, i cili e ndalon burgosjen arbitrare dhe garanton të drejtën për t’u dëmshpërblyer. Komiteti u shpreh se «‘arbitrariteti’ . . . duhet interpretuar më gjerë, që të përfshijë edhe elementet e të qenët i pavend [dhe] i padrejtë». Prandaj, si përfundim tha se «burgosja si ndëshkim për ushtrimin legjitim të lirisë së fesë e të ndërgjegjes, garantuar nga neni 18 i Konventës», është arbitrare.

Detyrimi për ta zgjidhur çështjen

Në vendimin që mori, komiteti i kërkoi qeverisë së Koresë së Jugut t’i eliminonte të gjitha dosjet kriminale të 50 Dëshmitarëve dhe t’i dëmshpërblente në masën e duhur. Më tej, ai tha se qeveria «ka detyrimin . . . [të marrë] masa legjislative për të garantuar të drejtën e atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje». Brenda 180 ditëve që nga dalja e këtij vendimi, Koresë së Jugut i është kërkuar të sigurojë «informacion në lidhje me masat e marra për vënien në zbatim të vendimit».

Koreja e Jugut ka kundërshtuar vazhdimisht se nuk mund të implementojë një program shërbimi alternativ për shkak të kërcënimeve të sigurisë kombëtare dhe ngaqë nuk ka një konsensus kombëtar për këtë çështje. Për herë të pestë, komiteti e hodhi poshtë arsyetimin e qeverisë mbi këto pika, duke iu referuar qëndrimit të shprehur në vendimin e mëparshëm të 2006-s. Në atë vendim thuhej se Koreja e Jugut «nuk kishte arritur të tregonte specifikisht se cilin disavantazh do të kishte po të respektoheshin plotësisht të drejtat e atyre që refuzonin shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje». Për sa i përket çështjes së unitetit dhe barazisë shoqërore, komiteti tha se, «kur shteti i respekton bindjet që kanë të bëjnë me ndërgjegjen, si edhe shfaqjen e tyre, ky në vetvete është një faktor i rëndësishëm për të garantuar një pluralizëm të unifikuar e të qëndrueshëm në shoqëri». Prandaj, komiteti i qëndron mendimit se Koreja e Jugut nuk ka asnjë justifikim që t’i burgosë ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

Me burgosjen arbitrare të personave që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, duket qartë se Koreja e Jugut nuk po ecën në një hap me jurisprudencën dhe praktikën ndërkombëtare për këtë çështje.

Megjithëse aderoi në ICCPR në vitin 1990, Koreja e Jugut herë pas here nuk ka pranuar t’u përmbahet detyrimeve të këtij traktati për personat që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Në fakt, autoritetet koreane burgosin ende çdo vit qindra të rinj Dëshmitarë. Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vazhdimisht ka folur hapur në mbrojtje të personave që kanë refuzuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Koha do të tregojë nëse qeveria do të reagojë pozitivisht ndaj presionit ndërkombëtar në rritje duke u dhënë fund burgosjeve arbitrare dhe duke krijuar një legjislacion që e respekton ndërgjegjen e qytetarëve të saj.

^ par. 2 Shih komunikatën e CCPR-së nr 2179/2012, Young-kwan Kim et al. v. Republic of Korea, vendimi i datës 15 tetor 2014, par. 7.5.

^ par. 3 Në fotografinë e mësipërme, 30 nga 50 të rinjtë Dëshmitarë qëndrojnë përpara Gjykatës së Lartë të Koresë së Jugut, së cilës iu drejtuan fillimisht.