7 MAJ 2018
KOREJA E JUGUT
Stenda me literaturë biblike në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike 2018
Gjatë Lojërave Dimërore Olimpike dhe Paralimpike në Pjongçang, që u mbajtën më 9-25 shkurt dhe më 9-18 mars 2018, Dëshmitarët e Jehovait në Kore morën pjesë në një fushatë speciale, duke u ofruar botime biblike falas vizitorëve të shumtë nga tërë bota.
Në fushatë morën pjesë mbi 7.100 vëllezër e motra nga mbarë vendi. Shumë prej tyre erdhën nga qytete, si Busani, Guanxhu, Inçoni, Seuli dhe Suuoni; madje disa erdhën nga ishulli i largët Xhexhu, një destinacion turistik goxha i njohur, mbi 480 kilometra në jug të Pjongçangut.
Vëllezërit tanë vendosën 152 stenda me literaturë në 48 pika, ku përfshihej edhe Parku Olimpik Gangnang dhe Sheshi Olimpik Pjongçang. Atyre iu dha leje edhe të vendosnin disa botime në hyrje të një qendre fetare të Fshatit Olimpik.
Përveç kësaj, autoritetet i lejuan vëllezërit të vendosnin stenda edhe në Sheshin e Stacionit Gangnang, stacioni i fundit i linjës së sapovendosur Kiangang të trenit super të shpejtë KTX, që transporton pasagjerë nga Inçoni e Seuli në Pjongçang. Ditën e hapjes së Lojërave Olimpike, mbi 28.000 veta kaluan në Stacionin e Gangnangut.
Duke menduar si t’u përshtateshin gati 80.000 vizitorëve të huaj, vëllezërit tanë ofruan libra, broshura, revista dhe fletushka deri në 20 gjuhë, përfshirë gjuhën kineze, angleze, kazake, koreane dhe ruse. Gjithashtu, vëllezër e motra që e dinë mirë gjuhën koreane të shenjave, përdorën video në gjuhën e shenjave për të mikpritur mjaft persona që nuk dëgjojnë, të cilët erdhën në Lojërat Paralimpike. U shpërndanë mbi 71.200 botime biblike, ku përfshihen më tepër se 22.000 ftesa për Përkujtimin.
Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës përdorin më se 300.000 stenda me literaturë në mbi 35 vende. Kështu arrijnë t’u predikojnë njerëzve kudo qofshin dhe të kryejnë plotësisht shërbimin e tyre.—2 Timoteut 4:5.