Kalo te përmbajtja

9 DHJETOR 2013
KOREJA E JUGUT

Koreja e Jugut veçon nga kriminelët qindra të burgosur që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes

Koreja e Jugut veçon nga kriminelët qindra të burgosur që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes

Qeveria e Koresë së Jugut ka marrë një masë lehtësuese për qindra Dëshmitarë të Jehovait që janë burgosur se refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Çfarë mase? Ka veçuar të burgosurit Dëshmitarë nga të burgosurit e tjerë.

Ky ndryshim është rezultati pozitiv i një mbledhjeje që u mbajt në dhjetor të 2012-ës mes përfaqësuesve të Dëshmitarëve të Jehovait në Kore dhe një zyrtari të lartë të Shërbimit të Burgjeve në Kore. Delegacioni i Dëshmitarëve, ku bënte pjesë një baba djali i të cilit tani po vuan dënimin me burg, shprehu shqetësimin për të rinjtë Dëshmitarë që shpesh burgosen në të njëjtën qeli me ata që janë dënuar për krime të rënda. Afro pesë muaj pas asaj mbledhjeje, më se 70 për qind të të burgosurve Dëshmitarë i veçuan nga të burgosurit e tjerë dhe i vunë nëpër qeli me bashkëbesimtarë të tjerë.

Prej vitesh shteti burgos ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Koreja e Jugut ka shumë vite që burgos Dëshmitarët e Jehovait sepse, bazuar tek ajo që kanë mësuar nga Shkrimet, refuzojnë të mbajnë armë. Në këtë moment, mesatarisht 600 Dëshmitarë po kryejnë dënimin ngaqë refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Gjatë 60 viteve të kaluara më shumë se 17.000 Dëshmitarë kanë vuajtur dënimin me burg, pasi kanë refuzuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak​—një kërkesë kjo për meshkujt nga 19 deri në 35 vjeç.

Nuk është e pazakontë që disa breza nga familje Dëshmitarësh të kalojnë të njëjtat përvoja: ndjekje penale, dënime dhe burgime si kriminelë. «U burgosa në të njëjtin burg ku u dënua babai kur ishte i ri. Kushtet në atë burg nuk kishin ndryshuar që nga koha e tij»,​—tha Seungkuk Noh, djali nga brezi i dytë i një familjeje Dëshmitarësh që përfundoi dënimin me tre vjet burg më 2000. Sot, dënimi për ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes zgjat mesatarisht 18 muaj, dhe Koreja e Jugut nuk ka marrë masa për shërbimin alternativ joushtarak.

Ho Gyu Kang ishte 21 vjeç kur u dënua me burg ngaqë nuk pranoi të shkonte ushtar. Kjo ishte hera e parë që ndahej nga familja. Z. Kang kujton: «Isha shumë i trembur dhe në ankth.» Atë bashkë me një Dëshmitar tjetër i mbajtën të burgosur me një grup të dënuarish më të mëdhenj në moshë, të cilët në burg i konsideronin si të pandreqshëm. Disa prej tyre ishin shpallur fajtor si vrasës dhe anëtarë bandash kriminale.

Që nga fillimi i dënimit deri kur lirohen, Dëshmitarët, që zakonisht janë më të rinj se shumica e të burgosurve, ekspozohen ndaj sulmeve fizike dhe emocionale. Të dënuarit shpesh vënë në shënjestër Dëshmitarët në qelitë e tyre dhe i keqtrajtojnë, kështu krijojnë një ambient që i pengon Dëshmitarët të praktikojnë lirisht fenë e tyre, pra të luten e të studiojnë Biblën. Vit pas viti, dekadë pas dekade, shumë të rinj Dëshmitarë vuajnë në heshtje poshtërimin që u sjell dënimi bashkë me kriminelë të rrezikshëm.

Veçimi i të burgosurve përputhet me standardet ndërkombëtare. Duke i ndarë të burgosurit Dëshmitarë nga kriminelët, Koreja e Jugut po përpiqet të zbatojë parimet universale të trajtimit të të burgosurve, të tilla si ato që përmenden te neni 8 i Rregullave Standarde Minimale të OKB-së për Trajtimin e të Burgosurve. Koreja e Jugut po ndjek modelin që ka lënë 20 vjet më parë kombi anëtar i Bashkimit Evropian, Greqia, kur Ministritë e saj të Mbrojtjes Kombëtare dhe të Drejtësisë miratuan masën për t’i veçuar plotësisht Dëshmitarët që refuzonin për shkak të ndërgjegjes nga të burgosurit e tjerë. Më 1992, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare transformoi një kamp ushtarak në Sindos, Selanik, në një burg enkas për Dëshmitarët e Jehovait. Një raport zyrtar pranonte se «ndjeshmëria e treguar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, për shkak të karakterit të jashtëzakonshëm të të dënuarve [Dëshmitarëve të Jehovait]», çoi në vendimin për t’i ndarë Dëshmitarët nga të burgosurit e tjerë e për t’i mbajtur në një burg më vete. Greqia nuk i burgos më Dëshmitarët që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes që nga viti 1998.

Duke veçuar shumicën e të burgosurve Dëshmitarë nga të burgosurit e tjerë, Koreja e Jugut ka treguar një ndjeshmëri të ngjashme ndaj të rinjve që janë burgosur se i përmbahen bindjeve personale të rrënjosura thellë. * Disa burgje me numrin më të madh të Dëshmitarëve e kanë zbatuar me sukses këtë nismë dhe u kanë siguruar ambiente më të sigurta atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Një i burgosur Dëshmitar në burgun Gunsan thotë kështu për dobitë që vijnë nga kjo ndarje: «Jemi të lirë nga ndikimet negative të tilla si, imoraliteti dhe i foluri i ndyrë. Mund të bëjmë biseda ndërtuese për Biblën me vëllezërit tanë Dëshmitarë.»

‘Jemi të lirë nga ndikimet negative dhe mund të bëjmë biseda ndërtuese’

Çështja e pazgjidhur: respektimi i të drejtës për të refuzuar për shkak të ndërgjegjes. Edhe pse iniciativa e kohëve të fundit e Koresë së Jugut për të veçuar të burgosurit Dëshmitarë është e lavdërueshme, ky shtet ende nuk ka ndjekur modelin e kombeve të tjera që e kanë zgjidhur nga shumë kohë këtë çështje. Për shembull, Greqia ka ofruar shërbimin civil alternativ për ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes që nga viti 1997. Më parë, Gjermania ofronte shërbimin civil alternativ, por tani siguron përjashtim të plotë nga shërbimi ushtarak sepse që nga 2011-a ky shërbim nuk është më i detyrueshëm. Në Tajvan, ligji për shërbimin alternativ hyri në fuqi në vitin 2000 për ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes.

Të rinjtë Dëshmitarë dhe familjet e tyre në Korenë e Jugut shpresojnë që edhe vendi i tyre t’i pranojë standardet e sotme ndërkombëtare duke respektuar kështu të drejtën themelore të njeriut, pra lirinë e ndërgjegjes.

^ par. 9 Ligji ndërkombëtar, të cilin Koreja e Jugut është e detyruar ta zbatojë, e konsideron refuzimin për shkak të ndërgjegjes si një të drejtë të njeriut. Shih artikullin me titull «Opinioni ndërkombëtar ngre zërin për padrejtësitë në Korenë e Jugut».