Kalo te përmbajtja

Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut ditën e vendimit historik

13 KORRIK 2018
KOREJA E JUGUT

Vihet në vend drejtësia: Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut merr vendimin e shumëpritur

Vihet në vend drejtësia: Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut merr vendimin e shumëpritur

Për rreth 65 vjet, të rinjtë e krishterë në Korenë e Jugut janë burgosur ngaqë nuk pranonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Të enjten, më 28 qershor 2018, Gjykata Kushtetuese mori një vendim historik që e ndryshoi këtë rrjedhë. Ajo e shpalli antikushtetues nenin 5, paragrafin 1 të Ligjit për Shërbimin Ushtarak, pasi qeveria nuk siguronte asnjë program alternativ për shërbimin ushtarak.

Gazetarë jashtë Gjykatës Kushtetuese. Çështja u ndoq me vëmendje nga media ndërkombëtare

Paneli me 9 gjykatës, i kryesuar nga Li Xhin Sung, Kryetari i Gjykatës, shpalli vendimin me 6 vota pro dhe 3 kundër, i cili harmonizon më tepër ligjet vendëse me standardet ndërkombëtare dhe njeh lirinë e ndërgjegjes, të mendimit e të besimit.

Përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait në Kore brenda Gjykatës Kushtetuese, pak para se të jepej vendimi

Çdo vit, Koreja e Jugut ka burgosur më tepër persona që nuk pranojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, se të gjitha vendet e tjera të marra së bashku. Për njëfarë periudhe, mesatarisht 500 deri në 600 vëllezër burgoseshin çdo vit. Kur i lironin, të gjithëve u ngelte për tërë jetën një njollë për shkak të dosjeve penale. Krahas vështirësive të ndryshme, u kufizoheshin edhe mundësitë për punë.

Megjithatë, që nga viti 2011, disa vëllezër paraqitën ankesa pranë Gjykatës Kushtetuese sepse ligji nuk parashikonte asnjë alternativë përveç burgosjes. Po ashtu, që nga 2012-a, edhe disa gjykatës mendonin se ishte i gabuar ndëshkimi i personave që refuzonin vërtet për shkak të ndërgjegjes shërbimin ushtarak, prandaj vendosën t’ia dërgonin çështjet e tyre Gjykatës Kushtetuese që të rishqyrtonte Ligjin për Shërbimin Ushtarak.

Hong Dae Il, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kore, duke u intervistuar jashtë gjykatës pas vendimit

Roli i Gjykatës Kushtetuese është të përcaktojë nëse një ligj është në harmoni me Kushtetutën e Koresë. Pasi kishte vendosur dy herë (2004 dhe 2011) ta linte në fuqi Ligjin për Shërbimin Ushtarak, më në fund Gjykata Kushtetuese ra dakord se ligji kishte nevojë të ndryshohej. Gjykata e ka urdhëruar qeverinë e Koresë së Jugut që ta rishikojë ligjin, që të përfshijë shërbimin alternativ deri në fund të 2019-s. Alternativat mund të përfshijnë punë në spitale dhe shërbime sociale jo me natyrë ushtarake, në dobi të komunitetit.

Për të na ndihmuar të kuptojmë sa i rëndësishëm është ky vendim, vëlla Hong Dae Il, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kore, thotë: «Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë që mbron të drejtat e njeriut, ka hedhur bazën për ta zgjidhur këtë çështje. Vëllezërit tanë mezi presin t’i shërbejnë komunitetit nëpërmjet shërbimit alternativ civil që nuk bie ndesh me ndërgjegjen e tyre dhe që është në përputhje me standardet ndërkombëtare.»

Ka edhe çështje të tjera të rëndësishme që presin të zgjidhen, siç është statusi i 192 Dëshmitarëve që janë në burg ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak, si edhe rreth 900 çështje penale që po shqyrtohen në gjykata të shkallëve të ndryshme.

Vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese është një bazë më e fortë që Gjykata e Lartë të vendosë në favor të atyre që nuk pranojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Vendimi i gjykatësve të Gjykatës së Lartë do të ndikojë në trajtimin e këtyre çështjeve penale.

Pritet që Gjykata e Lartë të mbajë një seancë me dyer të hapura më 30 gusht 2018, si edhe të shpallë vendimin pak kohë më pas. Do të jetë hera e parë në 14 vjet që çështjen e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes, do ta shqyrtojnë të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë, Asambleja Kombëtare, organi legjislativ në Kore, po punon që të rishikojë Ligjin për Shërbimin Ushtarak.

Vëlla Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, thotë: «E presim me padurim seancën e radhës të Gjykatës së Lartë. Vëllezërit tanë koreanë e sakrifikuan me gatishmëri lirinë, duke e ditur se, ‘nëse dikush duron gjëra të hidhura dhe vuan padrejtësisht, ngaqë përpiqet të mbajë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë, kjo është e pëlqyeshme’. (1 Pjetrit 2:19) Jemi të lumtur për vëllezërit tanë që gjykata e ka pranuar më në fund se janë trajtuar padrejtësisht dhe për guximin dhe sinqeritetin e bindjeve të tyre.»