Kalo te përmbajtja

19 TETOR 2016
KOREJA E JUGUT

Gjykata e Apelit në Korenë e Jugut i shpall të pafajshëm ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Gjykata e Apelit në Korenë e Jugut i shpall të pafajshëm ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Më 18 tetor 2016, sektori i apelit në Gjykatën e Krahinës Gwangju i shpalli të pafajshëm Hye-min Kim, Lak-hoon Cho dhe Hyeong-geun Kim, që akuzoheshin për shmangie të shërbimit ushtarak. Këta burra, të tre Dëshmitarë të Jehovait, janë të parët që shpallen të pafajshëm për këtë çështje në shkallën e apelit në Korenë e Jugut.

Gjykatësi Young-sik Kim shpjegoi: «Gjykata beson se ata refuzojnë detyrimin ushtarak për shkak të bindjeve fetare dhe të ndërgjegjes. Liria e fesë dhe e ndërgjegjes janë të drejta kushtetuese që nuk duhen kufizuar me anë të ndëshkimit.»

Nëse prokurori e apelon këtë vendim, çështja do të rishikohet nga Gjykata e Lartë. Në Gjykatën e Lartë tashmë ka mbi 40 çështje pezull të atyre që janë shpallur fajtorë për të njëjtën arsye. Filip Bramli, përgjegjës i çështjeve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, pohoi: «Edhe pse deri tani Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese në Korenë e Jugut nuk e kanë njohur të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes, gjykata e apelit ka zbatuar standardin ndërkombëtar duke e njohur këtë të drejtë. Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut e ka njohur këtë të drejtë në mbi 500 vendime të tij.»