Kalo te përmbajtja

25 JANAR 2017
KOREJA E JUGUT

«Vendimi gjyqësor më i mirë i vitit»

«Vendimi gjyqësor më i mirë i vitit»

Tre të rinj, Hye-min Kim, Lak-hoon Cho dhe Hyeong-geun Kim, dolën të pafajshëm nga gjykata e apelit, të kënaqur që nuk u dënuan me burgim. Ishte surprizë, sepse çështja e tyre lidhej me refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje, për shkak të të cilit burgosen qindra djem çdo vit në Korenë e Jugut. Ngaqë kjo çështje nuk është zgjidhur prej kohësh, tre të rinjtë pritnin të ndëshkoheshin me burgim njësoj si baballarët e tyre dhe mbi 19.000 veta para tyre. Vendimi historik «i pafajshëm» nga Gjykata e Apelit në Guanxhu ka hedhur themelin për një ndryshim pozitiv në lidhje me këtë çështje.

«Vendimi gjyqësor më i mirë i vitit» nga Gjykata e Apelit

Të paktën 200 agjenci lajmesh raportuan ngjarjen, duke theksuar jo vetëm ndikimin që do të ketë ky vendim i parë pafajësie nga një gjykatë apeli, por edhe duke zgjuar interes për çështjen. Sipas një gazete, ishte «vendimi gjyqësor më i mirë i vitit», ndërsa një tjetër e renditi ndër pesë vendimet gjyqësore më të rëndësishme për vitin 2016 në Korenë e Jugut.

Vendimi i gjykatës së apelit tregon se ekspertët ligjorë dhe gjykatësit po ndryshojnë qëndrim për këtë çështje. Në disa raste të fundit gjykatësit kuptuan që këta të rinj motivohen nga bindje morale të forta e të sinqerta dhe se, t’i detyroje të shkonin ushtar ose t’i dënoje ngaqë nuk shkonin, do të ishte dhunim i lirisë së tyre të ndërgjegjes. Këta gjykatës arritën në përfundimin se ata kishin «arsye të vlefshme» për të mos shkuar ushtar. Gjatë 20 muajve të fundit gjykatësit dhanë 16 vendime «i pafajshëm», në vend që t’i etiketonin dezertorë.

Avokati Du-jin Oh, që ka përfaqësuar shumë nga ata që nuk pranojnë të kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, tha se «ky qëndrim është domethënës. Jam i kënaqur të shoh që gjykatat dhe, së fundmi një gjykatë e lartë, po marrin gjithnjë e më shumë vendimin ‘i pafajshëm’. Në çdo rast pritet që prokurori t’i apelojë këto vendime, por ndryshimi i dukshëm në pikëpamjen e gjykatave të Koresë së Jugut drejton vëmendjen te vendimi i lënë pezull mbi lirinë e ndërgjegjes nga Gjykata Kushtetuese».

Në kërkim të zgjidhjes

Koreja e Jugut pret që Gjykata e saj Kushtetuese të marrë një vendim. Kjo gjykatë më e lartë po peshon të drejtën e lirisë së ndërgjegjes që garanton kushtetuta me dënimin që jep Ligji për Shërbimin Ushtarak për ata që përdorin këtë të drejtë, duke mos pranuar të kryejnë ushtrinë për shkak të bindjeve fetare të rrënjosura ose të bindjeve të tjera.

Dae-il Hong, një zëdhënës vendës i Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Mijëra familje në Korenë e Jugut presin një zgjidhje që respekton parimet fetare të të rinjve, të cilët s’mund t’i detyrosh të veprojnë kundër ndërgjegjes. Mezi presim një vendim nga Gjykata Kushtetuese që u jep dinjitet këtyre të rinjve.»