Kalo te përmbajtja

24 MAJ 2023
LETONI

Në Panairin e Librit në Rigë ekspozohet Përkthimi Bota e Re në letonisht

Në Panairin e Librit në Rigë ekspozohet Përkthimi Bota e Re në letonisht

Në fillim të marsit 2023, mbi 21.000 veta vizituan Panairin e Librit në Rigë, Letoni. Kjo ishte hera e shtatë që vëllezërit e motrat morën pjesë në panair dhe hera e parë që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Ata ishin të entuziazmuar që mund të ekspozonin të plotë botimin Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën letoneze, që doli në vitin 2020.

Vëmendje të veçantë iu dha emrit hyjnor, Jehova. Vizitorët u habitën kur mësuan se emri Jehova del në përkthimin e parë të Biblës në letonisht, të vitit 1689. Madje u surprizuan edhe më tej kur panë se Përkthimi Bota e Re e rivendos emrin e Perëndisë në më tepër se 7.000 vende në tërë Biblën.

Disave u bënë përshtypje aspekte të tjera të Përkthimit Bota e Re. Një burrë, i cili punon në industrinë e botimeve, komentoi për cilësinë e lartë të materialeve që janë përdorur për Biblën. Ai tha se është më se e qartë se kjo Bibël është bërë enkas që të përdoret çdo ditë.

Një vizitor tjetër, pasi mori një Bibël te stenda, u shpreh se ishte i mahnitur nga gjuha e thjeshtë dhe aktuale që përdor Përkthimi Bota e Re. Ai shpjegoi se ishte përpjekur ta lexonte Biblën më parë, por kishte hequr dorë ngaqë përkthimet e tjera ishin tepër të vështira për t’u kuptuar. Tani mezi pret ta lexojë Përkthimin Bota e Re bashkë me vajzën. Në fund të eventit 3-ditor u shpërndanë mbi 130 Bibla Përkthimi Bota e Re në gjuhën letoneze.

Vëllezërit e motrat dalin në fotografi brenda këndit të tyre në Panairin e Librit, në Letoni

Pjesëmarrësit në këtë panair u kënaqën jashtë mase që i ndihmuan të tjerët të mësonin më shumë për Biblën dhe për Autorin e saj. Një motër u shpreh plot gëzim: «Kurrë s’kam ndihmuar kaq shumë njerëz të mësojnë emrin e Jehovait në vetëm 3 ditë!»

Aktualisht në Letoni ka mbi 2.100 lajmëtarë. Na gëzon zemra që ata, bashkë me shumë të tjerë që kanë interes për Fjalën e Perëndisë, po nxjerrin dobi nga ky përkthim modern dhe po lidhen më ngushtë me Jehovain.—Jakovi 1:17.