15 QERSHOR 2022
LITUANI
Sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Lituania i ka mohuar vëlla Stanislav Teliatnikovit shërbimin alternativ në vend të shërbimit ushtarak
Më 7 qershor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori një vendim unanim kundër Lituanisë për çështjen e vëlla Stanislav Teliatnikovit, i cili nuk pranon të kryejë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. GJEDNJ-ja vendosi se të drejtën për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes e garanton edhe neni 9 (liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kështu, Lituania u shpall fajtore për shkelje të Konventës dhe u urdhërua t’i paguante Stanislavit shumën prej 3.000 eurosh (3.196 dollarë amerikanë).
Thuajse të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë implementuar një program për shërbimin alternativ civil (SHAC). Kur e thirrën për të kryer shërbimin ushtarak, Stanislavi kërkoi një shërbim alternativ civil në përputhje me standardet evropiane. Mirëpo, Lituania nuk e ofron këtë lloj shërbimi. Në gjykimin e saj kundër Lituanisë, siç ka bërë edhe në gjykime të ngjashme kundër Armenisë, Azerbajxhanit dhe Turqisë, GJEDNJ-ja përsëriti se të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës duhet të ofrojnë shërbim alternativ civil që është jondëshkues, jodiskriminues dhe vërtet civil.
Armenia ka implementuar tashmë një program të përshtatshëm shërbimi alternativ civil. Djemve që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, mund t’u caktohen punë që i sjellin dobi komunitetit.
Shpresojmë që edhe Lituania t’i bindet drejtimit të GJEDNJ-së për të ofruar shërbim alternativ civil për dobinë e përbashkët të vëllezërve tanë dhe të komuniteteve të tyre. Ndërkohë nuk harrojmë se Jehovai do t’u sigurojë përherë vëllezërve tanë në Lituani drejtimin dhe mbështetjen që u duhet.—Vajtimet 3:25.