Kalo te përmbajtja

Dega aktuale e Malavisë në qytetin e Lilongvës. Fotografitë e vogla (nga e majta në të djathtë): vëlla Bill Meklaki, shërbëtori i parë i degës në Malavi; autoritetet konfiskojnë zyrën e degës më 1967; një motër duke predikuar me gëzim sot

28 DHJETOR 2023
MALAVI

75 vjet që kur u hap zyra e parë e degës në Malavi

Historia e një qëndrueshmërie të jashtëzakonshme

75 vjet që kur u hap zyra e parë e degës në Malavi

Viti 2023 shënon 75 vjet që kur u krijua për herë të parë zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Malavi, në qytetin e Blantairit, më 1948.

Para se kjo zyrë të ekzistonte, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Malavi mbikëqyrej nga dega e Afrikës së Jugut. Nga vitet 30 të shekullit të 20-të, numri i vëllezërve e i motrave që shërbenin në Malavi u rrit gradualisht nga 28 në vitin 1934 në mbi 5.600 në vitin 1948. Teksa numri i Dëshmitarëve rritej, më 1 shtator 1948, u hap zyra e parë e degës në një apartament të vogël të marrë me qira në Blantair. Kjo zyrë u përdor derisa në vitin 1958 u ndërtua një godinë e re Betheli aty pranë.

Majtas: përkthyes të gjuhës çiçeua dhe çitumbuke në fotografi jashtë zyrës së degës, të ndërtuar më 1958, në Malavi. Ndër ta është edhe Baston Nirenda (i rrethuar), që shërben si anëtar i Komitetit të Degës në Malavi. Djathtas: Bastoni 80-vjeçar bashkë me gruan, Violetën, kohët e fundit

Më pak se 10 vjet më vonë, në tetor të 1967-s, autoritetet e Malavisë ndaluan aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait. Si rezultat u konfiskua zyra e degës. Gjithsesi, vëllezër përgjegjës në Malavi vazhduan të organizonin veprën e predikimit dhe të ndihmonin vëllezërit e motrat në mbarë vendin. Për thuajse 26 vjet, Dëshmitarët e Jehovait i persekutuan egërsisht dhe i trajtuan mizorisht për shkak të asnjanësisë. Ata ishin viktima të akteve të tmerrshme të dhunës. Gjatë asaj periudhe, vëllezërit e motrat i burgosën, i torturuan, madje edhe i vranë. Disa vëllezër e motra shkuan në vendet fqinje, si në Mozambik, Zambie e në Zimbabve.

Vëllezër e motra duke përkthyer botime nga Bibla në çiçeua

Më 12 gusht 1993, më në fund ndalimi u hoq. Dy vitet në vazhdim, vëllezërit në Zambie që, për disa vjet, ishin kujdesur për veprën në Malavi gjatë ndalimit, ndihmuan me organizimin e veprës. Pastaj vëllezërit blenë 2 shtëpi në qytetin e Lilongvës që të përdoreshin si zyrë dege për Malavinë. Më 1994, Trupi Udhëheqës aprovoi që të gjendej një pronë e përshtatshme për ndërtimin e një Betheli të ri në Malavi. Më 19 maj 2001, kur u kushtua Betheli i ri, më se 2.000 vëllezër e motra ishin të pranishëm; shumë prej tyre kishin qëndruar besnikë gjatë dekadave të persekutimit. Për shembull, një ndër ta ishte vëlla Trofim Nsomba, i cili shërbeu si mbikëqyrës qarkor gjatë ndalimit. Duke menduar për Bethelin e ri dhe për rritjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Malavi, ai tha: «Këto bekime nga Jehovai janë aq të mrekullueshme, sa mua dhe [gruas sime] na duken si një ëndërr.»

Sot në Malavi ka 1.924 kongregacione dhe mbi 109.000 vëllezër e motra. Këtu përfshihen edhe 225 vullnetarët që shërbejnë në degën e Malavisë në Lilongvë, ku kujdesen për përkthimin e botimeve nga Bibla në 7 gjuhë.

Disa nga 109.000 vëllezërit e motrat që i shërbejnë me besnikëri sot Jehovait në Malavi

Lutemi që Jehovai t’i bekojë motrat e vëllezërit tanë në Malavi, të cilët me qëndrueshmërinë e tyre prej dekadash, e kanë rekomanduar veten si shërbëtorë të Perëndisë.—2 Korintasve 6:4.