18 JANAR 2023
MAQEDONIA E VERIUT
Libri i Mateut del në gjuhën rome (Maqedoni)
Më 8 janar 2023, vëllai Daniel Jovanoviç, anëtar i Komitetit të Degës në Maqedoninë e Veriut, prezantoi Biblën—Ungjilli sipas Mateut në gjuhën rome (Maqedoni) me shkronja cirilike dhe latine.
Ky libër i Biblës u prezantua gjatë një eventi special që u mbajt në Shkup, Maqedonia e Veriut. Të gjitha kongregacionet dhe grupet e gjuhës rome (Maqedoni) në territorin e degës së Evropës Qendrore ishin ftuar të shihnin programin nëpërmjet JW Stream–Studio. Menjëherë pas prezantimit, ky libër i Biblës ishte në dispozicion për t’u shkarkuar në format elektronik dhe audio. Ata që e ndoqën fizikisht këtë event, morën nga një libër të shtypur me shkronja cirilike.
Gjuha rome ka një larmi dialektesh, dhe secili prej tyre ka një fjalor më vete. a Në vitin 2007, Dëshmitarët e Jehovait nisën të përkthenin rregullisht botimet në gjuhën rome (Maqedoni). Aktualisht, skuadra e përkthimit po punon në zyrën e degës në Shkup, ku banon edhe popullsia më e madhe që flet gjuhën rome në Maqedoninë e Veriut.
Një vëlla u shpreh: «Kur e lexoj këtë përkthim në gjuhën time, e ndiej se Jehovai po më flet mua.»
Një vëlla tjetër komentoi: «Kur lexoj librin e Mateut, e kam të qartë si drita e diellit atë që u tha Jezui dëgjuesve të tij.»
Lutemi që vëllezërit e motrat ta përdorin me efektshmëri këtë botim të ri, që të vazhdojnë ‘të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë’.—Mateu 9:35.
a Shih artikullin «Romët: Një mijë vjet gëzime e brenga».