Kalo te përmbajtja

5 SHTATOR 2017
MBRETËRIA E BASHKUAR

Dëshmitarët në Britani marrin vlerësimin maksimal sipas BREEAM-it për projektin ekologjik të zyrës së re të degës

Dëshmitarët në Britani marrin vlerësimin maksimal sipas BREEAM-it për projektin ekologjik të zyrës së re të degës

LONDËR—Dëshmitarët e Jehovait në Britani po ndërtojnë qendrën e re administrative. Projekti dhe metodat e tyre të ndërtimit janë certifikuar si të Jashtëzakonshme. Ky është vlerësimi më i lartë sipas BREEAM (Metoda e vlerësimit ekologjik e organizatës për studimin e godinave), standardit lider në nivel botëror për godinat ekologjike. Kompleksi i Dëshmitarëve ndodhet rreth 70 kilometra në lindje të Londrës, në Çelmsford, Eseks. Deri tani, vlerësimin maksimal në programin BREEAM Communities e ka marrë vetëm një projekt tjetër.

Më 25 maj 2017, projekti i kompleksit të ri të Dëshmitarëve në Çelmsford u bë projekti i dytë i BREEAM Communities që mori vlerësimin «e Jashtëzakonshme»

BREEAM, një metodë që u zhvillua nga BRE (Organizata për studimin e godinave), qendra e njohur shkencore për studimin e godinave, vlerëson sa ekologjike janë projektet e ndërtimit, infrastruktura dhe godinat në disa aspekte kryesore, si: energjia, shëndeti dhe mirëqenia, inovacioni, shfrytëzimi i tokës, materialet, organizimi, ndotja, transporti, mbetjet dhe uji. Më pas, projektet marrin këto vlerësime: e Pranueshme, Mirë, Shumë mirë, Shkëlqyeshëm, e Jashtëzakonshme. Para se ta miratonte planin e Dëshmitarëve për kompleksin e ri, Këshilli i Qytetit të Çelmsfordit kërkoi që projekti të plotësonte disa standarde ekologjike, një prej të cilave ishte që vlerësimi minimal i BREEAM-it të ishte «Shumë mirë». Neil Xhordani, shefi i urbanistikës për projektet e mëdha ekologjike në Këshillin e Qytetit të Çelmsfordit, komenton për projektin e Dëshmitarëve: «Jemi të lumtur që Dëshmitarët e Jehovait i kanë plotësuar kaq mirë kërkesat për këtë projekt. Madje i kanë tejkaluar standardet e vendosura nga këshilli i qytetit.» Ai thotë më tej se projekti «mund të quhet me të drejtë krenari e qytetit, pasi është një model se si arrihen standardet më të larta mjedisore».

Gjithashtu ia vlen të përmendet se, përveç certifikimit «e Jashtëzakonshme», u njoh edhe si projekt ekologjik novator. Dëshmitarët ia kanë dalë të pakësojnë emetimin e dyoksidit të karbonit me 2.480 tonë, duke i strehuar punëtorët në kantier e duke i transportuar me minibusë dhe me metoda të tjera transporti ekologjike. Si pasojë, Dëshmitarët morën vlerësimin «arritje novatore» në BREEAM Communities, i pari i këtij lloji. Z. Xhordan shpjegon se projekti ishte «i rëndësishëm për gjetjen e mënyrave të reja për pakësimin e emetimit të dyoksidit të karbonit, duke përmbushur standarde që nuk janë arritur kurrë më parë në programin ekologjik BREEAM Communities».

Palab Çetërxhi, inspektor i BREEAM-it

Z. Palab Çetërxhi, një inspektor i BREEAM-it, flet për punën me Dëshmitarët dhe për ndikimin e tyre në komunitet: «Më pëlqeu qëndrimi i tyre pozitiv dhe miqësor teksa punonin në kantier; kjo është diçka goxha e rrallë. Dëshmitarët u përpoqën të përfshinin në projekt sa më shumë elemente ekologjike nga BREEAM-i. Ata kishin si synim ta kursenin energjinë e ta ruanin mjedisin sa më shumë të ishte e mundur, jo [thjesht] të merrnin pikë në BREEAM. Më bëri shumë përshtypje që u konsultuan gjerë e gjatë me komunitetin vendës dhe me banorët e ardhshëm. Ky është ndër projektet ku e kam shijuar jashtë mase punën.»

Endrju Skofilldi, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Britani, thotë: «Qendra jonë administrative për Britaninë ndodhet në Londër për thuajse 60 vjet. Por, ngaqë kërkesa për literaturë dhe materiale të tjera biblike shtohej gjithnjë e më shumë, nevojiteshin godina edhe më të mëdha. Përgatitjet për kantierin, që gjendet në pronën 34-hektarëshe, i nisëm në prill të 2015-s, ndërsa projekti mendohet të mbarojë nga fundi i 2019-s.»

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Mbretëria e Bashkuar: Endrju Skofilldi, +44-20-8906-2211