Kalo te përmbajtja

17 JANAR 2023
MEKSIKË

Del i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën meksikane të shenjave

Del i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën meksikane të shenjave

Më 1 janar 2023, vëlla Armando Oçoa, anëtar i Komitetit të Degës në Amerikën Qendrore, prezantoi botimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën meksikane të shenjave (LSM). Botimi është në dispozicion në jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language. Vëlla Oçoa e bëri këtë njoftim emocionues gjatë një eventi special që u mbajt në Sallën e Asambleve në Tehokote.

Një vëlla (djathtas) përdor gjuhën e shenjave me të prekur për t’i interpretuar programin e prezantimit të Biblës një lajmëtari që nuk dëgjon e nuk shikon

Për Dëshmitarët e Jehovait në territorin e degës së Amerikës Qendrore, ishte hera e parë që ndoqën fizikisht një mbledhje kaq të madhe që prej fillimit të pandemisë COVID-19. Në Sallën e Asambleve kishte 2.317 vëllezër e motra të pranishëm. Ndërsa mijëra të tjerë e panë programin në kohë reale nga Salla të tjera Asamblesh dhe nga Salla Mbretërie në mbarë Meksikën.

Të pranishëm në event ishin edhe z. Serhio Penja, ekspert i gjuhës amerikane të shenjave dhe i LSM-së, dhe znjsh. Maria Teresa Vazkezi, drejtoreshë e përgjithshme e Institutit për Përfshirjen e Personave me Aftësi të Kufizuara në shtetin e Jukatanit.

Z. Penja u shpreh: «I falënderojmë nga zemra Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë! Nga 1 janari i 2023-shit, komuniteti i personave që nuk dëgjojnë, ka . . . Biblën e plotë në LSM. Jam i mrekulluar. Për mua, ky botim është ‘një vepër arti madhështore, një kryevepër’.»

Puna për Përkthimin Bota e Re në LSM nisi me Shkrimet e Krishtere Greke në gusht 2008. Përgjatë 14 viteve të shkuara, librat e Biblës që përktheheshin, dilnin në sit njëri pas tjetrit. Kjo është Bibla e parë e plotë në gjuhën meksikane të shenjave.

Lajmëtarët që nuk dëgjojnë, nxorën dobi edhe nga mjaft libra të Biblës që dolën gjatë pandemisë COVID-19. Një vëlla tha: «E çmova tej mase që shumë libra të Biblës dolën gjatë pandemisë. Jehovai u kujdes që ta ruanim të fortë besimin.»

Një motër që nuk dëgjon, komentoi: «Para se të kishim Përkthimin Bota e Re në LSM, shkrimet m’i përkthenin vëllezërit. Megjithatë e kishin të vështirë t’i interpretonin gjithmonë njësoj vargjet. Ndaj, ishte thuajse e pamundur të mësoja përmendsh vargje nga Bibla. Por tani nuk varem nga të tjerët për të kuptuar Biblën.»

Jemi të bindur se vëllezërit e motrat që nuk dëgjojnë ose që kanë vështirësi në të dëgjuar, do të përfitojnë jashtë mase nga kjo Bibël e plotë. Lutemi që Jehovai t’i bekojë përpjekjet e tyre ndërsa u flasin të tjerëve për «një të ardhme plot shpresë».—Jeremia 29:11.