8 NËNTOR 2019
MEKSIKË
Një Dëshmitar i Jehovait humb jetën gjatë një lufte në Kuliakan, Meksikë
Më 17 tetor 2019 ndodhi një shkëmbim zjarri mes policisë meksikane dhe një karteli droge në Kuliakan të Sinaloës, qytet me 1 milion banorë. Të shtënat vazhduan për orë me radhë. U bllokuan rrugë kryesore, u dogjën makina dhe disa të burgosur u arratisën nga një burg aty afër. Zyrtarët thonë se ka të paktën 14 viktima. Mjerisht, dega e Amerikës Qendrore raporton se ka humbur jetën edhe një vëlla, Noe Beltrani.
Vëlla Beltrani, 39 vjeç dhe baba i 3 fëmijëve, ishte në punë kur e kapi një plumb qorr. Vëllezër e motra vendës bashkë me mbikëqyrësin qarkor po i qëndrojnë afër dhe po i japin zemër nga Shkrimet gruas së tij, Rosio, dhe fëmijëve të tyre të vegjël.
Në Kuliakan ka më shumë se 7.000 lajmëtarë në 80 kongregacione. Gjatë përplasjes, disa kongregacione bënë rregullime të përkohshme për mbledhjen e mesjavës dhe për mbledhjet e shërbimit. Disa vëllezër dhe motra e ndoqën mbledhjen e mesjavës nga shtëpia. Mbikëqyrësit qarkorë po ngushëllojnë dhe po u japin zemër nga Bibla të gjithë atyre që kaluan këtë situatë frikësuese nga shpërthimi i papritur i dhunës.
Jemi shumë të trishtuar që vëlla Beltrani humbi jetën tragjikisht dhe lutemi që Jehovai të vazhdojë të mbështetë motrën Beltran dhe fëmijët. Mezi presim kohën kur në tokë të ketë vetëm paqe dhe në vend të hidhërimit të ketë «gëzim të madh».—Marku 5:42.