Kalo te përmbajtja

Mbi 42.000 vullnetarë ndihmuan për punën kolosale të rindërtimit në Amerikën Qendrore

12 PRILL 2019
MEKSIKË

Përfundon puna e rindërtimit pas tërmeteve shkatërrimtare në Amerikën Qendrore

Përfundon puna e rindërtimit pas tërmeteve shkatërrimtare në Amerikën Qendrore

Më 2017 dy tërmete të fuqishme goditën Guatemalën dhe Meksikën. Në dhjetor të vitit 2018 Dëshmitarët e Jehovait përfunduan punën kolosale të rindërtimit në atë rajon.

Dega e Amerikës Qendrore e filloi punën duke organizuar disa mbledhje për të inkurajuar vëllezërit dhe motrat e prekur nga katastrofat. Mbledhjet u mbajtën në këto shtete: Çiapas, Morelos, Oahakë dhe Pueblë, si edhe në qytetin e Meksikos. 39 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash punuan nën drejtimin e Komitetit të Degës për organizimin e punës së rindërtimit.

Xhesi Perezi, anëtar i Komitetit të Degës të Amerikës Qendrore, me lajmëtarët e prekur nga katastrofa në shtetin e Morelos

Dy vëllezër punojnë për strukturën e çatisë të një Salle Asamblesh

Në Meksikë dolën vullnetarë më shumë se 42.000 lajmëtarë nga 10 shtete të saj. Vëllezërit dhe motrat rindërtuan 619 shtëpi, 5 Salla Mbretërie dhe 2 Salla Asamblesh. Gjithashtu riparuan 502 shtëpi dhe 53 Salla Mbretërie. Ndërsa në Guatemalë rindërtuan 10 shtëpi.

Midis Dëshmitarëve që u ndihmuan, ishin dhe familjet Ernandez dhe Santiago.

Familja Ernandez para shtëpisë që rindërtuan vullnetarët

Familja Ernandez jeton në qytetin e Çalkos, vetëm 40 km (25 mi) nga qyteti i Meksikos. Tërmeti që ra më 19 shtator 2017 ua shkatërroi shtëpinë. Motër Ana Maria Ernandezi shpjegon: «Gjatë kësaj periudhe të vështirë kurrë nuk na mungoi gjë. Vëllezërit u kujdesën shumë për ne. Ende kujtoj vendin ku ishte shtëpia jonë me mbi 50 vullnetarë që po punonin për ta rindërtuar. Edhe sot e kësaj dite fqinjët nuk e harrojnë atë që bënë vëllezërit për ne.» Përveç kësaj, familjen Ernandez e vizitoi një përfaqësues nga dega e Amerikës Qendrore për t’i inkurajuar nga Bibla.

Familja Santiago para shtëpisë së re

Familja Santiago, që jeton në qytetin e Huçitanit, Oahakë, u prek nga tërmeti që ra më 7 shtator 2017. Shtëpia u dëmtua aq rëndë, sa u bë e pabanueshme. Gjithsesi, në më pak se 6 muaj vullnetarët i ndërtuan një të re. Kryefamiljari, vëlla Viktor Santiago, tha: «U habita sa shpejt na erdhi në ndihmë organizata e Jehovait. E pashë me sytë e mi që Jehovai kishte çdo gjë nën kontroll.»

Vëlla Xhesi Perezi, anëtar i Komitetit të Degës të Amerikës Qendrore, komenton: «Dy tërmetet shkatërruan shumë ndërtesa. Megjithatë, gjatë gjithë kësaj periudhe vëllezërit dhe motrat kishin një mundësi të mirë për të dhënë një dorë. Mijëra lajmëtarë ndihmuan, duke treguar dashuri vëllazërore. Jemi të lumtur që Jehovai e bekoi këtë lloj ‘shërbimi’.»—2 Korintasve 8:1-4.