31 TETOR 2019
MEKSIKË
Prezantohen Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tzotzile
Më 25 tetor 2019 u mbajt kongresi rajonal në Poliforumin e Tukslë-Gutierezit, Çiapas, Meksikë. Vëlla Armando Oçoa, anëtar i Komitetit të Degës në Amerikën Qendrore, prezantoi Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tzotzile. Ky program u transmetua drejtpërdrejt edhe në Qendrën e Kongreseve. Gjithsej ishin të pranishëm 3.747 veta.
Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tzotzile kishin dalë më 26 dhjetor 2014. Ky botim iu shpërnda atyre që flasin gjuhën tzotzile, të cilët jetojnë kryesisht në shtetin e Çiapasit, Meksikë. Nga më shumë se 16.000.000 indigjenët që jetojnë në Meksikë, rreth 500.000 veta flasin gjuhën tzotzile, mes tyre edhe 2.814 Dëshmitarë të Jehovait.
Përkthyesit e gjuhës tzotzile hasën shumë sfida. Për shembull, në këtë gjuhë ka pak botime dhe fjalorë. Veç kësaj, ajo ka shtatë dialekte. Ja pse, përkthyesit duhej të zgjidhnin me kujdes fjalë që mund t’i kuptonin të gjithë lexuesit e kësaj gjuhe.
Një përkthyes tha: «Ngaqë kjo Bibël përdor emrin e Perëndisë, Jehova, do t’i ndihmojë lexuesit të lidhin miqësi me të. Dy përkthime të tjera të Biblës në gjuhën tzotzile e përdorin emrin e Perëndisë vetëm një herë te një shënim në librin e Daljes. Kjo do të jetë Bibla e parë në këtë gjuhë që e rivendos emrin hyjnor në të gjitha vendet ku duhet të jetë.» Gjithashtu, një lajmëtar që flet gjuhën tzotzile, komentoi: «Përkthime të tjera të Biblës në gjuhën tzotzile kushtojnë shtrenjtë dhe pak vetave ua mban xhepi. Kurse kjo është falas për të gjithë.»
Pa diskutim, kjo Bibël do të ndihmojë të gjithë ata që flasin gjuhën tzotzile dhe që janë «të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë».—Mateu 5:3.