Kalo te përmbajtja

23 KORRIK 2021
MEKSIKË

Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re dalin në gjuhën tokolabale

Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re dalin në gjuhën tokolabale

Më 18 korrik 2021, vëlla Arturo Manzanaresi, anëtar i Komitetit të Degës për Amerikën Qendrore prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tokolabale.

Gjuhën indigjene tokolabale e flasin mbi 66.000 veta, kryesisht në shtetin e Çiapasit, Meksikë, në jug të vendit në kufi me Guatemalën. Bibla u prezantua në format elektronik gjatë një programi të regjistruar, të cilin e ndoqën 2.800 njerëz.

Oratori pyeti gjatë programit: «Pse kemi nevojë për një përkthim të Biblës në gjuhën tokolabale? Sepse është e rëndësishme të kemi një Bibël që nderon Autorin e saj, Jehovain.»

Një motër, pjesëtare e skuadrës së përkthimit, tha: «U preka thellë kur lexova Gjonin 5:28, 29. Mund të përfytyroja momentin kur mamaja ime të ringjallet. E kam lexuar sa e sa herë në spanjisht, por tani që e lexoj në gjuhën time, ka më tepër kuptim për mua. Ju falënderoj jashtë mase!»

Zyra e re Rajonale e Përkthimit për gjuhën tokolabale në Las Margaritas, Çiapas

Gjatë projektit, skuadra e përkthimit u transferua nga dega e Amerikës Qendrore, pranë qytetit të Meksikos, në Zyrën e re Rajonale të Përkthimit në Las Margaritas, Çiapas. Tani zyra ndodhet në zonën ku flitet gjuha tokolabale, 990 kilometra nga dega. Në këtë moment, atje punojnë 9 përkthyes në kohë të plotë dhe 5 vëllezër në repartet mbështetëse. Edhe pse ata që flasin gjuhën tokolabale nga komunitete të ndryshme e kuptojnë njëri-tjetrin, prapë ka ndryshime të vogla në mënyrën si i përdorin disa terma. Përkthyesit ishin tejet të kujdesshëm që Shkrimet e Krishtere Greke t’i përcillnin në një mënyrë të saktë dhe të lehtë për t’u kuptuar nga shumica e njerëzve.

Për shembull, Biblat në gjuhën amtare e kanë përkthyer shprehjen «Mbretëria e Perëndisë» si «vendi ku drejton Zoti» ose «vendi (ose qyteti) i Zotit». Mirëpo, këto përkthime nuk kanë kuptim për lexuesit që nuk i përdorin këto shprehje. Përkthimi Bota e Re në gjuhën tokolabale e përkthen këtë shprehje «Qeveria e Perëndisë», që kuptohet fare lehtë.

Një motër që ndoqi programin, komentoi: «Sigurisht, Jehovai drejtoi të gjithë ata që morën pjesë në projekt të nxirrnin një përkthim të qartë, të saktë dhe të lehtë për t’u lexuar. Jam e sigurt se kjo dhuratë do të prekë zemrën e shumë njerëzve që nuk e kanë njohur akoma Perëndinë.»—Veprat 17:27.