4 NËNTOR 2015
MEKSIKË
Dëshmitarët vlerësohen me çmim për veprën e arsimimit biblik në burgjet e Meksikës
QYTETI I MEKSIKOS—Zyrtarët e Gadishullit të Kalifornisë, shtet në Meksikë, u dhanë Dëshmitarëve të Jehovait një certifikatë vlerësimi për veprën e arsimimit biblik në burgjet e shtetit. Dokumenti ishte firmosur nga sekretari i shtetit për rendin publik, Daniel De La Rosa Anaya, dhe nga sekretari i shtetit për burgjet, Jesús Héctor Grijalva Tapia.
Në certifikatë thuhej: «Qeveria, nëpërmjet sekretarit të rendit publik, falënderon Dëshmitarët e Jehovait për mbështetjen e çmuar, dedikimin, punën dhe përkushtimin në komunitetin e Gadishullit të Kalifornisë; duke i kontribuar përmirësimit të cilësisë së jetës dhe riintegrimit në shoqëri.»
Dëshmitarët e Jehovait vizitojnë rregullisht disa burgje në Gadishullin e Kalifornisë, përfshirë një burg në Meksikali, që filluan ta vizitonin në vitin 1991 pasi morën një kërkesë nga një i burgosur. Në një intervistë dhënë Dëshmitarëve, drejtori i Qendrës së Rehabilitimit Social në Meksikali, Jesús Manuel López Moreno, tha: «Ardhja juaj dhe kujdesi për ata [të burgosurit] na ndihmon t’u japim forcë që të thonë: ‘Jemi njerëz. Kemi vlerë, sepse, kur të vijë koha, do të riintegrohemi në shoqëri dhe duhet të kontribuojmë për të.’ . . . Jam pafundësisht mirënjohës për mbështetjen tuaj.»
Gamaliel Camarillo, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, thotë: «Vepra parësore e Dëshmitarëve të Jehovait është të ndihmojnë njerëzit, përfshirë të burgosurit, të kuptojnë çfarë mëson Bibla. Një kongregacion në Meksikali raporton se të paktën tetë veta janë pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait gjatë kohës që kryenin dënimin në burgun e Meksikalit. Jemi të bindur se njerëzve të çdo prejardhjeje u duhet dhënë mundësia të përfitojnë nga arsimimi biblik.»
Zëdhënësi për mediat:
Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000
Meksikë: Gamaliel Camarillo, tel. +52 555 133 3048