Kalo te përmbajtja

Agresorët uiçolë plaçkitën këtë shtëpi dhe vodhën dyert, dritaret dhe çatinë. Fotoja e vogël: pjesëtarë të kongregacionit Uiçol të dëbuar nga shtëpitë e tyre

6 SHKURT 2018
MEKSIKË

Në Halisko, Meksikë, Dëshmitarët e Jehovait nga komuniteti uiçol i përzënë nga shtëpitë

Në Halisko, Meksikë, Dëshmitarët e Jehovait nga komuniteti uiçol i përzënë nga shtëpitë

QYTETI I MEKSIKOS—Më 4 dhjetor 2017, në qytezën e Tukspan de Bolanjosit, që gjendet në malet e Haliskos, Meksikë, një turmë sulmoi 12 vëllezër nga komuniteti indigjen uiçol dhe 36 veta që shoqërohen me ta, duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre. Agresorët ishin të tërbuar që Dëshmitarët nuk do të merrnin pjesë në ritet fetare tradicionale të komunitetit uiçol. Meqë janë viktima të përndjekjes fetare, vëllezërit kanë apeluar për ndihmë tek autoritetet ligjore.

Zotërimet e vëllezërve u vodhën ose u flakën

Autoritetet kombëtare meksikane i respektojnë traditat dhe kulturën uiçole, aq sa i kanë dhënë njëfarë autonomie këtij komuniteti. Me kërkesën e qeverisë tradicionale uiçole, agresorët i përzunë me forcë vëllezërit nga shtëpitë, të cilat më pas i plaçkitën duke vjedhur dyer, dritare e çati. Çdo gjë tjetër që kishte mbetur, e hodhën në kanal. Pastaj i çuan vëllezërit në një pyll dhe u thanë se po të ktheheshin, i priste vdekja.

Dëshmitarë të Jehovait nga komuniteti uiçol para një Salle Mbretërie

Një përfaqësues nga zyra e degës në Meksikë shkoi t’i takonte të shpërngulurit, që t’i inkurajonte nga Bibla e t’u siguronte strehim. Gjithashtu, përfaqësues ligjorë të Dëshmitarëve të Jehovait janë takuar me kreun e qeverisë së Haliskos, me prokurorin për të drejtat e njeriut, me prokurorin rajonal dhe me drejtorin e Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës. Këto autoritete ligjore po hetojnë ngjarjet kriminale.

Vëllai Gamaliel Kamarijo, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, shpjegon: «Jemi vërtet të shokuar që bashkëbesimtarët tanë, njerëz paqësorë në komunitetin e tyre dhe që respektojnë zakonet vendëse, janë sulmuar vetëm ngaqë s’do të marrin pjesë në rite fetare që bien në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre. Shpresojmë që autoritetet vendëse t’i japin fund sa më shpejt kësaj përndjekjeje fetare.»

Lutemi për bashkadhuruesit që kanë humbur shtëpitë e zotërimet dhe jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’u japë ndihmën e nevojshme përmes organizatës së tij.—Isaia 32:2.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Meksikë: Gamaliel Kamarijo, +52-555-133-3048