Kalo te përmbajtja

Vëlla Amaro Teshera prezanton Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ndau

2 MARS 2021
MOZAMBIK

Me prezantimin e Biblës në Mozambik, Dëshmitarët e Jehovait arrijnë një sukses të madh në fushën e përkthimit

Tani Përkthimi Bota e Re disponohet në 200 gjuhë

Me prezantimin e Biblës në Mozambik, Dëshmitarët e Jehovait arrijnë një sukses të madh në fushën e përkthimit

Më 28 shkurt 2021 u prezantuan Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ndau. Kjo do të thotë se tani Përkthimi Bota e Re disponohet i plotë ose pjesërisht në 200 gjuhë. Veç kësaj, vetëm një ditë më parë, më 27 shkurt, Bibla—Ungjilli sipas Mateut doli në gjuhën çuabo.

Vëlla Amaro Teshera, anëtar i Komitetit të Degës në Mozambik, i prezantoi të dyja botimet në format dixhital gjatë programeve të regjistruara, që më pas u transmetuan online për lajmëtarët. Këto programe u transmetuan edhe nëpërmjet një stacioni televiziv kombëtar dhe disa stacioneve radiofonike lokale. Bibla—Ungjilli sipas Mateut, që doli në gjuhën çuabo, do të dalë edhe si broshurë me 64 faqe për dobinë e të gjithë atyre që nuk kanë pajisje elektronike.

Gjuhën çuabo e flasin rreth 1,4 milionë njerëz në provincën e Zambezias. Në fushën e kësaj gjuhe shërbejnë gjithsej 492 lajmëtarë.

Vëlla Nikolas Ahladis, që punon te Shërbimet e Përkthimit në selinë botërore, thotë: «Përkthimi i librit të Mateut në gjuhën çuabo është një hap gjigant. Ishte e vështirë të kishe përkthimin e mëparshëm të këtij libri dhe mezi kuptohej.»

Ndërsa gjuha ndau flitet në pjesën qendrore të Mozambikut. Atë e flasin rreth 1,1 milionë veta, ndër ta edhe 1.500 lajmëtarë.

Gjatë kohës që Bibla po përkthehej në gjuhën ndau, në vend pati tri katastrofa të mëdha. Në vitin 2019, Mozambikun e goditi rëndë cikloni Idai. Vitin pasues, ashtu si pjesa tjetër e globit, edhe Mozambiku u përball me pasojat e pandemisë COVID-19. Pastaj, në fillim të vitit 2021, cikloni Eloiz solli dëme shkatërrimtare në vend. Me gjithë këto sfida të paprecedenta, skuadra me pesë përkthyes e përfundoi punën për dy vite e gjysmë.

Një nga përkthyesit e gjuhës ndau, shpjegon: «Kur shoh rezultatet që u arritën, pavarësisht nga gjithë vështirësitë, nuk arrij ta besoj që e përfunduam përkthimin. Për mua kjo është një mrekulli. Ishte komplet përtej aftësive dhe pritshmërive tona. Me të drejtë, e gjithë lavdia i shkon Jehovait.»

Vëlla Ahladis shton: «Vëllezërit tanë që flasin gjuhën ndau, përfshirë edhe përkthyesit, kanë hasur shumë vështirësi kohët e fundit, dhe kjo e vonoi projektin e Biblës. Por tani, ky përkthim i Shkrimeve të Krishtere Greke, që kuptohet kollaj, do të jetë një shpërblim fantastik për vëllezërit tanë dhe do t’u japë zemër e ngushëllim të gjithë atyre që flasin këtë gjuhë.»

Vëlla Xhefri Xhekson, anëtar i Trupit Udhëheqës, tha: «Çdo projekt i përkthimit të Biblës përfshin sakrifica dhe vështirësi. Pas sprovave që kaloi skuadra e përkthimit e gjuhës ndau gjatë këtij projekti, ndër to edhe katastrofat natyrore, është fantastike që me Shkrimet e Krishtere Greke në ndau, numri i gjuhëve në të cilat disponohet Përkthimi Bota e Re arrin në 200. Jemi të sigurt se kjo Bibël do të jetë bekim i madh për tërë ata që flasin këtë gjuhë në Mozambik.»

Gëzojmë me vëllezërit tanë që tani kanë në gjuhët e tyre këto përkthime të Biblës, edhe pse jemi në mes të kësaj pandemie. Është e qartë se asgjë nuk e pengon dot Jehovain të arrijë qëllimin e tij.—Isaia 43:13.