9 MARS 2023
MOZAMBIK
Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën ronga
Më 5 mars 2023 u prezantuan Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën ronga, gjatë një mbledhjeje speciale që u mbajt në stadiumin kombëtar të Zimpetos, i cili gjendet në Maputo, Mozambik. Vëlla Kastro Salvado, pjesëtar i Komitetit të Degës në Mozambik, e prezantoi Biblën para një audience prej 3.150 vetash. Ky është eventi i parë i madh në vend, ku vëllezërit e motrat ishin të pranishëm fizikisht për prezantimin e Biblës, që kur nisi pandemia COVID-19. Çdo pjesëmarrës në këtë event mori një Bibël në format të shtypur.
Gjuha ronga është gjuha amtare e të paktën 618.000 vetave dhe flitet në të gjithë provincën e Maputos, në Mozambik. Edhe pse në gjuhën ronga kishte tashmë përkthime të Biblës, disa prej tyre përdorin fjalë të vjetra e që shqiptohen në një mënyrë që nuk e kupton shumica e lexuesve.
Një përkthyes tha për këtë Bibël të re: «I jam shumë mirënjohës Jehovait për këtë dhuratë! E di se motrat e vëllezërit do të kënaqen jashtë mase me këtë përkthim të Biblës, që është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u lexuar. Tani mund ta dëgjojmë Jehovain që u flet drejtpërdrejt zemrave tona.»
Gëzojmë bashkë me vëllezërit tanë për këtë botim të ri dhe lutemi që Jehovai të vazhdojë të bekojë fushën e gjuhës ronga.—Romakëve 12:15.