Kalo te përmbajtja

22 QERSHOR 2023
MOZAMBIK

Prezantohet i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën çangane (Mozambik)

Prezantohet i plotë Përkthimi Bota e Re në gjuhën çangane (Mozambik)

Më 18 qershor 2023, doli e plotë Bibla Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çangane (Mozambik). Vëllai Çarls Fonseka, anëtar i Komitetit të Degës në Mozambik, e prezantoi Biblën para një auditori prej 16.245 vetash në qytetin e Maputos, kryeqyteti i Mozambikut. Të pranishmit në event morën nga një kopje të shtypur të Biblës. Gjithashtu u vu në dispozicion për t’u shkarkuar edhe formati elektronik.

Gjuha çangane (Mozambik) flitet nga afro 4,2 milionë njerëz, kryesisht në 2 provincat më jugore të Mozambikut, në Maputo dhe në Gazë. Meqë gjuha çangane (Mozambik) ka shumë dialekte, skuadra e përkthimit gjeti dhe përdori fjalët që kuptohen nga shumica e njerëzve që flasin këtë gjuhë, pavarësisht nga zona ku jetojnë.

Para se të kishin Biblën e plotë në gjuhën e tyre, mjaft lajmëtarë që flitnin gjuhën çangane (Mozambik) përdornin Biblën në tsonge, një gjuhë e përafërt me çanganen (Mozambik). Ja pse disa e kishin të vështirë të mësonin të vërtetat e Biblës. Një përkthyes u shpreh: «Tani që kemi në dorë përkthimin e ri, mesazhi i Biblës do t’u prekë vërtet zemrën atyre që flasin gjuhën çangane (Mozambik).»

Një përkthyes tjetër solli një shembull për të treguar se Përkthimi Bota e Re në gjuhën çangane (Mozambik) është më i qartë. Ai tha: «Disa përkthime të Biblës në gjuhë të tjera të rajonit, për termin ‘frymë’, përdorin fjalë që ndonjëherë përcjellin idenë e gabuar se një pjesë e jona vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit. Por, Përkthimi Bota e Re në gjuhën çangane (Mozambik) përcjell idenë e saktë se ‘forca e jetës’ i kthehet Krijuesit, jo vetë personit.»

Jemi të lumtur tek shohim që Jehovai ‘dërgon dritën dhe të vërtetën e tij’ ndërsa Fjala e tij bëhet edhe më e qartë për ata që flasin gjuhën çangane (Mozambik).—Psalmi 43:3.