Kalo te përmbajtja

10 GUSHT 2016
NAGORNI-KARABAK

Nagorni-Karabaku burgos padrejtësisht një të ri që s’kryen ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Nagorni-Karabaku burgos padrejtësisht një të ri që s’kryen ushtrinë për arsye ndërgjegjeje

Artur Avanesjani, 20-vjeç, po kryen dënimin me 30 muaj burg në burgun Shushi të Nagorni-Karabakut, pavarësisht nga gatishmëria e tij për të kryer shërbim alternativ civil. Gjykatat e të gjitha shkallëve në Nagorni-Karabak, ia kanë mohuar të drejtën bazë për të mos kryer shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

Z. Avanesjan, Dëshmitar i Jehovait, shpjegon bindjet e tij të forta morale: «Nuk ma lejon ndërgjegjja të shkoj ushtar. I dua njerëzit dhe nuk dua të marr armë dhe as të mësoj t’i bëj keq njeriu.» Ai shton: «Nuk dua t’i bëj bisht detyrimit tim civil. Bëra përpjekje për të kryer shërbim alternativ civil në vend të ushtrisë, por nuk më lejuan.»

Pengohen përpjekjet për të kryer shërbim alternativ

Më 29 janar 2014 Arturin e thirrën që të paraqitej për shërbimin ushtarak në Komisariatin Ushtarak të qytetit Askeran në Nagorni-Karabak. Të nesërmen bëri një kërkesë pranë komisariatit ku shpjegonte pse nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak dhe shprehte gatishmërinë për shërbim alternativ civil. Kërkoi edhe ndihmën e një avokati, meqë Nagorni-Karabaku nuk e ofron shërbimin alternativ civil.

Ngaqë z. Avanesjan ka pasaportë armene, avokati i tij u takua me autoritetet në Armeni, si edhe në Nagorni-Karabak, dhe, nga sa u kuptua, do ta lejonin të bënte shërbimin alternativ civil në Armeni. Që kjo të arrihej, z. Avanesjan u transferua në Armeni. Më 13 shkurt 2014 paraqiti një kërkesë për shërbim civil alternativ në Komisariatin Ushtarak të Republikës së Armenisë.

Komisioni i shërbimit alternativ i Armenisë nuk e thirri kurrë z. Avanesjan, por më 14 korrik 2014 e thirri policia e Jerevanit, Armeni, në rajonin e policisë, ku po e prisnin policë të Nagorni-Karabakut. E arrestuan menjëherë dhe, kundër dëshirës, e çuan nga Jerevani në Askeran, Nagorni-Karabak, një ekstradim de facto pa seancë dëgjimore, pa urdhër gjykate e pa formalitete të tjera.

Burgimi dhe gjyqi

Për z. Avanesjan, që atëherë ishte vetëm 18 vjeç, 14 korriku i 2014-s ishte nata e tij e parë në burg. Të nesërmen gjatë gjyqit, mësoi se gjykata e shkallës së parë e Nagorni-Karabakut më parë kishte lëshuar urdhër arresti për të dhe kishte urdhëruar që të futej në paraburgim. Gjykata iu përmbajt vendimit të mëparshëm dhe e futi në burgun e Shushit. Të gjitha kërkesat e tij kundër këtij dënimi u hodhën poshtë.

Më 30 shtator 2014 gjykatësi Spartak Grigorjani i gjykatës së shkallës së parë të Nagorni-Karabakut e dënoi z. Avanesjan me 30 muaj burg me akuzën e shmangies së shërbimit ushtarak. * Z. Avanesjan e apeloi vendimin, por si gjykata e apelit, edhe gjykata e lartë e Nagorni-Karabakut nuk e shfuqizuan vendimin. Ai do të qëndrojë në burg deri në janar të  2017-s.

Nuk stepet pavarësisht nga padrejtësia

Shejn Bredi, një nga avokatët e tij, pohon: «Për shkak të bindjeve të forta fetare, z. Avanesjan u ndalua, u arrestua, u ndoq penalisht dhe u dënua. Edhe pse i burgosur padrejtësisht, ai është plotësisht i vendosur të mos ndryshojë qëndrim.» Z. Bredi raporton se tani autoritetet e burgut e lejojnë z. Avanesjan të mbajë Biblën e botime për studimin e saj, si edhe i lejojnë vizita nga familjarët.

Meqë nuk gjeti asnjë rrugëzgjidhje ligjore brenda vendit, z. Avanesjan i bëri një kërkesë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Ai pret që kjo çështje të zgjidhet në favor të tij (ndonëse ka të ngjarë që vendimi të jepet muaj pasi të lirohet) sepse GJEDNJ-ja e ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e moskryerjes së shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Në çështjen Bayatyan kundër Armenisë, Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së vendosi se moskryerja e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje mbrohet nga e drejta e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Vendimet e mëpasshme të GJEDNJ-së kanë dëshmuar edhe më tej vendosmërinë e saj për këtë çështje. *

Vendimet e GJEDNJ-së kanë kontribuar në rritjen e respektit për të drejtën themelore të refuzimit për arsye ndërgjegjeje—edhe kur ka luftë e kur mungon stabiliteti. Për shembull, në qershor 2015 një gjykatë e lartë në Ukrainë konfirmoi se ata që nuk bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje kanë të drejtë të kryejnë shërbim alternativ gjatë mobilizimit ushtarak.

A ka shpresë për ata që s’bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje në Nagorni-Karabak?

Dëshmitarët e Jehovait në Nagorni-Karabak dhe përreth botës shpresojnë që Nagorni-Karabaku ta njohë refuzimin për arsye ndërgjegjeje si një të drejtë themelore të njeriut. Në vend që të burgosë të rinj paqësorë, a do t’u japë qeveria mundësinë që të kryejnë shërbim alternativ civil atyre që nuk kryejnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje? Po të njohë të drejtën themelore të refuzimit për arsye ndërgjegjeje, Nagorni-Karabaku do të përmbushë standardet evropiane dhe do të tregojë respektin e duhur për bindjet e sinqerta të të rinjve, si Artur Avanesjani.

^ par. 10 Dënimi prej 30 muajsh filloi me ndalimin e tij më 14 korrik 2014.

^ par. 13 Shih Erçep kundër Turqisë, nr. 43965/04, 22 nëntor 2011; Feti Demirtaş kundër Turqisë, nr. 5260/07, 17 janar 2012; Buldu dhe të tjerët kundër Turqisë, nr. 14017/08, 3 qershor 2014.