5 JANAR 2016
NAMIBI
Gjykata Supreme e Namibisë mbron të drejtat e pacientit dhe lirinë e fesë
Gjykata Supreme e Namibisë ka marrë një vendim në mbrojtje të së drejtës së një pacienti për autonomi e për të vendosur për trupin e vet kur zgjedh trajtimin mjekësor. Gjykata njohu si të vlefshme deklaratën paraprake me shkrim që informonte personelin mjekësor për trajtimin që donte pacienti.
Lindja dhe urgjenca mjekësore
Kjo çështje ligjore para Gjykatës lidhej me shëndetin e Efixhinia Sementes, një Dëshmitareje të Jehovait. Pak para se të lindte fëmijën e tretë, znj. Semente e informoi mjekun se nuk do të pranonte transfuzion gjaku për shkak të bindjeve të saj fetare. Gjithashtu i dha një deklaratë mjekësore paraprake në formën e një autorizimi mjekësor për një kohë të pacaktuar. Në këtë deklaratë znj. Semente shprehej mjaft qartë se nuk donte të merrte gjak dhe autorizonte të shoqin si përfaqësues të kujdesit shëndetësor që të vendoste për të nëse ajo nuk do të ishte në gjendje.
Më 8 shtator 2012 mjeku e priti me sukses lindjen e vajzës së saj, por znj. Semente kishte nevojë për një operacion pas lindjes. I shoqi, si përfaqësuesi i saj mjekësor, ra dakord. Megjithatë, gjatë operacionit pati ndërlikime dhe mjeku donte t’i bënte transfuzion gjaku. Z. Semente refuzoi në emër të së shoqes, në përputhje me dëshirën e saj paraprake për trajtimin mjekësor. Doktori e operoi me sukses pa transfuzion, por ajo doli nga operacioni me nivel të ulët hemoglobine.
Ndërhyrja e Gjykatës së Lartë
Më 13 shtator 2012, ndërsa znj. Semente po merrte veten nga operacioni, vëllai i saj i madh bëri kërkesë pranë Gjykatës së Lartë të Namibisë që të caktohej si kujdestar ligjor e të vendoste ai dhe jo i shoqi për trajtimin e saj mjekësor. Edhe pse znj. Semente dhe burri i saj nuk ishin njoftuar për këtë kërkesë, gjykata mbajti një seancë dëgjimore pa praninë e tyre dhe caktoi të vëllanë si kujdestar. Pas kësaj i vëllai urdhëroi personelin mjekësor t’i bënin transfuzion kundër dëshirës, por ajo refuzoi përsëri, u bëri rezistencë përpjekjeve të tyre dhe shmangu transfuzionin.
Kur znj. Semente mori vesh se gjykata kishte caktuar të vëllanë si kujdestar, i bëri një kërkesë urgjente Gjykatës së Lartë që ta anulonte vendimin. Ajo u shpjegoi se ishte në gjendje të mirë mendore kur i vëllai kërkoi kujdestarinë dhe se urdhri i tij për transfuzion gjaku dhunonte si bindjet e saj fetare, ashtu edhe të drejtën për të vendosur për trupin e vet. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e saj dhe lejoi vëllanë të vazhdonte si kujdestar.
Ndonëse doktori i znj. Semente pohoi para gjykatës se ajo do të vdiste pa transfuzion, gjendja e saj u përmirësua me trajtim mjekësor pa gjak dhe doli nga spitali më 26 shtator 2012 pa bërë transfuzion. Sidoqoftë, Gjykata e Lartë e kishte caktuar të vëllanë si kujdestar për një kohë të pacaktuar. Për znj. Semente kjo kujdestari ishte dhunim i autonomisë së saj dhe i të drejtave themelore të njeriut, prandaj e apeloi çështjen në Gjykatën Supreme të Namibisë.
«Në thelb të kësaj çështjeje qëndrojnë disa nga të drejtat më themelore që mund të ngrihen në një çështje gjyqësore. Ato janë e drejta për të vendosur vetë për trupin tënd, e drejta për të praktikuar fenë lirisht dhe për të mos u diskriminuar.»—Gjykata Supreme e Namibisë.
Vendimi i Gjykatës Supreme
Më 24 qershor 2015 Gjykata Supreme e Namibisë mbrojti të drejtat themelore të znj. Semente dhe anuloi kujdestarinë e të vëllait. Kjo gjykatë e cilësoi si tërësisht të papërshtatshme faktin që znj. Semente e burri i saj nuk u njoftuan dhe që Gjykata e Lartë mbajti një seancë dëgjimore vetëm me njërën palë, ku u caktua i vëllai si kujdestar.
Gjykata Supreme theksoi se Kushtetuta e Namibisë garanton lirinë dhe dinjitetin e njeriut, që përbëjnë themelin e autonomisë së pacientit. Gjykata u shpreh: «Parimi i autonomisë së pacientit tregon se është e drejtë themelore të kesh nën kontroll trupin tënd. . . . Personeli mjekësor duhet ta informojë pacientin për dobitë dhe rreziqet e trajtimeve të rekomanduara, ama vendos pacienti nëse do të pranojë ose jo një trajtim të caktuar.»
«Të vendosësh vetë për trupin tënd, është një e drejtë themelore.»—Gjykata Supreme e Namibisë.
Në fund, pasi rishikoi të drejtën e znj. Semente për të refuzuar transfuzionin, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se Gjykata e Lartë nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur autorizimit të saj mjekësor për një kohë të pacaktuar. Gjykata Supreme shtoi: «Deklaratat paraprake me shkrim që janë specifike, të pacenuara nga ndikime të panevojshme dhe të nënshkruara kur pacienti është i aftë të vendosë, dëshmojnë qartë se çfarë trajtimi mjekësor dëshiron pacienti.»
Gjykata Supreme shqyrtoi edhe nëse e drejta e fëmijës për t’u rritur nga prindërit ndikon tek e drejta e prindërve për të vendosur vetë për trajtimin e tyre mjekësor. Pasi shqyrtoi çështje gjyqësore ndërkombëtare, kjo Gjykatë arriti në përfundimin se «e drejta për të vendosur për trupin tonë, pavarësisht nëse jemi prindër ose jo, është një e drejtë e pamohueshme».
Gjykata Supreme e Namibisë konfirmoi edhe një herë të drejtën e individit për të vendosur vetë për trupin e tij dhe njohu deklaratën mjekësore paraprake si provë të parimeve të pacientit dhe të zgjedhjes së trajtimit. Duke mbrojtur lirinë e fesë dhe të drejtën e pacientit të vendosë vetë për trupin, Gjykata Supreme mbrojti të drejtat bazë për liri e dinjitet për të gjithë namibianët.