3 KORRIK 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
28 qershor 2020: Prezantohen 6 Bibla
Në mes të kësaj krize shëndetësore globale, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë të prezantojnë përkthime të reja të Biblës. Më 28 qershor 2020, u prezantua Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në 4 gjuhë: suati, tsonge, zulu dhe çitonge. Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re u prezantua në gjuhët kriole të Belizesë dhe totonako. Edhe pse nuk mund të mblidheshin si pasojë e COVID-19, vëllezërit e motrat ishin përsëri të lumtur që po merrnin Biblën në format elektronik. Biblat u prezantuan nëpërmjet fjalimeve të regjistruara, dhe lajmëtarët e ndoqën programin me anë të videokonferencave ose transmetimeve video.
Suati, tsonge dhe zulu
Vëlla Xhefri Xhekson, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi në gjuhën suati Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re dhe botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhët tsonge dhe zulu në format elektronik (shih figurën në krye të faqes). Këtë mbledhje speciale e ndoqën edhe lajmëtarë në Afrikën e Jugut dhe në Esuatini.
Në territorin e degës të Afrikës së Jugut, rreth 18,5 milionë njerëz flasin gjuhët suati, tsonge dhe zulu, ku përfshihen më shumë se 38.000 lajmëtarë.
Çitonge (Malavi)
Vëlla Agustin Semo, anëtar i Komitetit të Degës në Malavi, prezantoi përkthimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çitonge (Malavi).
Një skuadër përkthimi punoi për më tepër se 2 vjet për të përkthyer Biblën në gjuhën çitonge. Një përkthyese shpjegoi: «Gjuha çitonge ka tri dialekte. Njerëzit e një krahine nuk e kuptojnë fjalorin e një krahine tjetër. Prandaj zgjedhim me kujdes fjalë që mund t’i kuptojë shumica. Gjithashtu kemi përdorur shënime për të shpjeguar terma të panjohur për lexuesit.»
Një përkthyese tjetër tha: «Lajmëtarët do ta kenë të lehtë ta përdorin këtë Bibël në shërbim ose në mbledhje, sepse është përkthyer në një gjuhë të thjeshtë e të qartë, prandaj kuptohet dhe lexohet kollaj.»
Kriole e Belizesë
Vëlla Xhoshua Killgor, që shërben në Komitetin e Degës të Amerikës Qendrore, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kriole të Belizesë, dhe programin e ndoqën më shumë se 1.300 veta .
Një skuadër përkthimi prej 6 përkthyesish punoi për 16 muaj që të përfundonte projektin. Një prej tyre tha për dobitë e përkthimit të ri: «Më në fund, vëllezërit dhe motrat kanë një përkthim të saktë dhe të besueshëm të Biblës. Ai do të jetë si një llambë që do t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë të vërtetën.»
Një përkthyese tjetër tha: «Në mes të pandemisë së COVID-19, vëllezërit e motrat që flasin gjuhën kriole të Belizesë, do të kenë mundësinë t’i lexojnë Shkrimet në gjuhën e tyre. Kjo mund t’ua qetësojë ankthin që ndiejnë në zemër dhe t’i ndihmojë t’i përballojnë më mirë sprovat që presim.»
Në Belize ka 867 lajmëtarë në 19 kongregacione të gjuhës kriole. Gjithashtu, 58 lajmëtarë shërbejnë në gjuhën kriole të Belizesë në Shtetet e Bashkuara.
Totonako
Vëlla Xhesi Perezi, anëtar i Komitetit të Degës të Amerikës Qendrore, prezantoi në gjuhën totonako Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Programin e ndoqën afro 2.200 veta nga 50 kongregacione të gjuhës totonako në territorin e degës.
Skuadra e përkthimit punoi pak më shumë se 3 vjet për këtë projekt. Ky përkthim do të jetë një mjet i dobishëm për t’u predikuar lajmin e mirë më shumë se 250.000 njerëzve që flasin gjuhën totonako në Meksikë.
Një përkthyes tha se, ndryshe nga Bibla të tjera në gjuhën totonako, Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re «përdor gjuhën e të folurit të përditshëm. Tani do të jetë më e lehtë t’u shpjegojmë argumente të ndryshme nga Bibla njerëzve në komunitetet tona.»
Një përkthyes tjetër shtoi: «Vëllezërit e motrat e kanë pritur me padurim një Bibël si kjo. Deri tani, disa lajmëtarë i kanë përkthyer vetë vargje të Biblës nga përkthimi në spanjisht për caktimet në mbledhjen e mesjavës. Por kjo nuk do të jetë më e nevojshme për Shkrimet Greke.»
Një veçori e rëndësishme e këtij përkthimi të ri është se në shënime ka një përkthim alternativ të disa termave që gjenden në tekstin kryesor. Këto janë sinonime të dialekteve të tjera të gjuhës totonako, duke e bërë këtë përkthim tërheqës për të gjithë ata që flasin këtë gjuhë.
Gëzohemi shumë për vëllezërit dhe motrat tona që morën këto Bibla në gjuhët e tyre amtare. E dimë se do t’u forcohet besimi ndërsa përdorin «shpatën e frymës» në shërbim dhe në studimin personal.—Hebrenjve 4:12.