11 TETOR 2019
LAJME NDËRKOMBËTARE
5 vjet me JW Broadcasting
Gjatë pesë viteve të fundit vëllezërit anembanë botës janë kënaqur me programet mujore në JW Broadcasting. Ndërsa presim me padurim programet për vitin e shërbimit 2020 e më tej, le të shohim disa nga arritjet e tij të jashtëzakonshme që nga tetori i 2014-s kur u transmetua programi i parë.
Përkthehet në 185 gjuhë. Në fillim programet mujore u transmetuan vetëm në anglisht. Më pas, në maj të vitit 2015, Trupi Udhëheqës dha miratimin për përkthimin e programeve në mbi 40 gjuhë. Sot, vetëm katër vjet më vonë, ato përkthehen mesatarisht në 185 gjuhë.
Impakt mbarëbotëror. Meqë JW Broadcasting është ideuar për vëllazërinë anekënd globit, videot po prodhohen gjithnjë e më shumë nga skuadrat nëpër botë. Zakonisht programet mbyllen me një videoklip për kongregacionet në zona të izoluara, si në Etiopi, Islandë, Mongoli, Sajpan, Tuvalu dhe Ugandë. JW Broadcasting ndiqet në 230 vende. Ndër to edhe në zona të largëta subantarktike, si ishujt Mek Donald dhe Hërd ku nuk ka banorë të përhershëm. Çdo program i ri mujor shihet ose shkarkohet mesatarisht 8,6 milionë herë që në muajin e parë.
Larmia dhe sasia e materialit. Deri tani janë prodhuar më tepër se 60 orë me materiale origjinale, ku futen fjalime, intervista, histori personale, përditësime lajmesh dhe dramatizime. Që kur doli kënga e parë, Jeta më fantastike, videot muzikore kanë qenë pjesë e rregullt e programeve mujore. Këngët janë përkthyer në 368 gjuhë.
Prezantuesit. Në fillim, programet prezantoheshin vetëm nga anëtarët e Trupit Udhëheqës. Më vonë, edhe ndihmës të komiteteve të Trupit Udhëheqës prezantonin programin bashkë me ta ose edhe vetëm. Deri tani 29 vëllezër kanë qenë prezantues ose bashkëprezantues në JW Broadcasting.
Shprehje mirënjohjeje. Një vëlla nga Shtetet e Bashkuara që pësoi hemorragji cerebrale dhe ende po vuan pasojat, pëlqen sidomos këngët. Ai thotë: «Muzika e bukur që të forcon besimin te Jehovai dhe te Fjala e tij më ka bërë më optimist dhe më ndihmon të përballoj këtë sfidë të re. Nuk arrij ta besoj sa shumë më ka ndihmuar kjo muzikë të përmirësoj cilësitë e krishtere. Ju falënderoj jashtë mase për këtë dhuratë!»
Një familjeje nga Shtetet e Bashkuara u vdiq djali nga kanceri. Pasi panë programin e nëntorit 2016, u shprehën: «S’pushonim dot së qari teksa shihnim videon muzikore Në prag është parajsa. Gjetëm veten tek ata prindër në parajsë. Kur mendojmë që s’mbajmë dot më, Jehovai na e bën gjithnjë të qartë se na kupton dhe se do të na ndihmojë t’ia dalim mbanë. Për ne, kjo video ishte përgjigjja e Jehovait për përgjërimet e shumta.»
Ja si e shpreh mirënjohjen për programet mujore një çift nga Ukraina: «Falë JW Broadcasting, anëtarët e Trupit Udhëheqës na janë bërë si të shtëpisë.»
Falënderojmë Jehovain për këtë mjet në kohën e duhur, që vazhdon të bashkojë popullin e tij anembanë botës.—1 Pjetrit 2:17.