2 GUSHT 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE
75-vjetori i Kongresit të parë të madh Ndërkombëtar
Asambleja Teokratike «Kombet e gëzuara» ishte një event historik që vendosi standardin për grumbullimet e ardhshme
4 gushti 2021 shënon 75-vjetorin e Asamblesë Teokratike «Kombet e gëzuara», kongresi i parë ndërkombëtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Ky kongres madhështor u mbajt më 4-11 gusht 1946, në Klivlend, Ohajo, SHBA, në Municipal Stadium dhe në një ambient tjetër aty afër, Municipal Auditorium.
Pas Luftës II Botërore, vëllezërit organizuan këtë kongres që ishte në kontrast të thellë me konfliktet ushtarake që kishin mbërthyer botën. Në këtë kongres, mijëra vëllezër e motra nga e gjithë bota u mblodhën së bashku në paqe. Njerëz nga raca, formime e pozita të ndryshme shoqëroheshin lirshëm me njëri-tjetrin, në një kohë kur përçarjet racore mbizotëronin në shumë vende të Shteteve të Bashkuara.
Kongresi «Kombet e gëzuara» ishte i pari ku 80.000 Dëshmitarë u mblodhën në të njëjtin vend. Pasi kishin qenë disi të izoluar për shkak të luftës, vëllezërit e motrat u kënaqën jashtë mase duke u shoqëruar me njëri-tjetrin. Në kongres ishin të pranishëm edhe 302 delegatë nga 32 shtete. Të dielën e fundit të kongresit, vëlla Nejthën Nori mbajti fjalimin «Princi i paqes».
Ky kongres pati sukses të jashtëzakonshëm, por edhe sfida. Ditën e parë të kongresit, vëllezërit që merreshin me organizimin e tij, hasën një problem të madh. Numri i njerëzve që erdhën në Municipal Auditorium, ishte më i madh se kapaciteti i vendeve në këtë sallë. Vëllezërit kishin nevojë të përdornin edhe stadiumin aty pranë për të sistemuar tërë ata njerëz për sesionin e mbrëmjes që filloi në orën 7.45 të pasdites. Mirëpo, deri në orën 6.30 të pasdites ishin programuar të luheshin dy ndeshje bejzbolli.
Gjatë ndeshjes së dytë të bejzbollit, një shtrëngatë me vetëtima e bubullima i detyroi njerëzit të largoheshin nga stadiumi para se të përfundonte ndeshja. Pastaj, qielli u hap, kështu 50.000 Dëshmitarë patën mundësi të sistemoheshin në stadium tamam në kohë për sesionin e mbrëmjes.
Në kongresin «Kombet e gëzuara» u prezantua një revistë e re, revista Zgjohuni!, dhe një botim për studimin e Biblës, «Le të dalë Perëndia i vërtetë». Gjithashtu, vëlla Nori njoftoi planet për të zgjeruar shtypshkronjën në Bruklin, Nju-Jork, SHBA, dhe për të zgjeruar zyrat e degës në gjashtë vende të tjera.
Një pikë kulmore e këtij kongresi ishte pagëzimi i 2.602 vetave, 903 vëllezërve dhe 1.699 motrave, në liqenin Erie aty pranë. Ndër aspektet e tjera të veçanta ishin demonstrime të Studimit të Kullës së Rojës dhe të Shkollës së Shërbimit Teokratik, si edhe muzika që luajti orkestra me 160 muzikantë.
Ky kongres u bë model për kongreset që do të mbaheshin në të ardhmen. Për shembull u formuan disa reparte kongresi, të tilla, si Reparti i Mikpritësve, Zyra e Drejtuesit, Ndihma e Shpejtë, Montim-Çmontimi dhe Sendet e Humbura.
Vëlla Ron Litëlli, sot një plak në kongregacionin McKeesport në Pensilvani, SHBA, ishte 11 veç kur ndoqi kongresin me babanë dhe vëllanë e tij. Të tetë ditët e kongresit fjetën në kamionin e të atit.
Vëlla Litëlli e kujton si sot kur u prezantua revista Zgjohuni! Ai thotë: «Kur doli revista Zgjohuni!, të gjithë ne vraponim duke e mbajtur lart në duar. Nëse nuk kishe revistë në dorë, të gjithë përpiqeshin të të jepnin një kopje.»
Vëlla Litëlli, tani 86 vjeç, sjell ndër mend sa i mahnitur ishte të shihte tërë ata Dëshmitarë të mbledhur bashkë. Ai tregon: «Nuk doja që të mbaronte. Ishte shumë bukur.»
I jemi mjaft mirënjohës Jehovait që na bekon me «asamble të shenjta».—Levitiku 23:2.
Programi i Asamblesë Teokratike të Dëshmitarëve të Jehovait «Kombet e gëzuara» në Klivlend, Ohajo, SHBA, nga 4-11 gusht 1946
Dy makina me altoparlantë të vendosur sipër tyre dhe me tabela ku shkruheshin këto fjalë: «Lexoni revistat Kulla e Rojës dhe Ngushëllim.» Posteri te dera e makinës njofton fjalimin publik «Princi i paqes»
Një nënë me dy vajzat e saj qëndrojnë para një makine me altoparlant. Vajzat kanë në dorë numrin e parë të revistës Zgjohuni! që doli në Asamblenë Teokratike 1946 «Kombet e gëzuara». Nëna mban në dorë gazetën Lajmëtari që e botonte Watch Tower Bible and Tract Society
Një vëlla me dy fëmijët e tij. Tek automjeti ka tabela që njoftojnë fjalimin publik «Princi i paqes»
Delegatët e kongresit në Repartin për Shërbimin në Fushë gjatë Asamblesë Teokratike 1946 «Kombet e gëzuara» duke marrë tabela që njoftojnë fjalimin publik «Princi i paqes»
Vëllezër duke punuar në Repartin e Shërbimit të Ushqimit
Të pranishmit në kongres duke ngrënë në mensë gjatë Asamblesë Teokratike 1946 «Kombet e gëzuara»
Një grup i madh të pranishmish në kongres duke mbajtur në duar librin e ri «Le të dalë Perëndia i vërtetë»
Vëllezër jashtë vendit të kongresit, shumë prej të cilëve kishin vuajtur dënimin me burg për shkak të besimit. Ndër ta është edhe vëlla Daniel Sidliku (rreshti i parë, djathtas në cep), që më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait
Kandidatët për pagëzim të ulur në rreshtat e parë
Pamje nga lart e pagëzimit në liqenin Erie