Kalo te përmbajtja

Vëlla Migel Silva dhe bashkëshortja, Monika, shqyrtojnë historinë e vëlla Konstantin Bazhenovit në JW Lajme

9 PRILL 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Artikujt në JW Lajme forcojnë dhe bashkojnë vëllezërit e motrat në mbarë botën

Artikujt në JW Lajme forcojnë dhe bashkojnë vëllezërit e motrat në mbarë botën

Artikujt në JW Lajme për vëllezër e motra që po përndiqen, na japin zemër që të qëndrojmë. Disa informacione nga jeta e tyre na ndihmojnë t’i njohim më mirë. Kurse historitë e komentet e tyre na forcojnë, na bashkojnë dhe na sigurojnë se po e ruajnë gëzimin. Historitë vijuese tregojnë si po nxjerr dobi vëllazëria mbarëbotërore nga këta artikuj.

Përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë

Vëlla Migel Silva dhe e shoqja, Monika, (lart), shërbejnë si pionierë specialë në Portugali. Siç ka ndodhur me shumë prej nesh, edhe jeta e tyre ka ndryshuar goxha për shkak të pandemisë. Prandaj ndonjëherë mund të na zërë ankthi e të ndihemi të rraskapitur. Gjithsesi, ata morën zemër kur lexuan për vëlla Konstantin Bazhenovin në një artikull në JW Lajme. Konstantini donte të lexonte Biblën, por nuk e lejonin të mbante Bibël në burg. Në vend që të zhytej në dëshpërim, ai bëri «Biblën» e tij, duke shkruar vargjet që mbante mend. Migeli dhe Monika mësuan diçka me shumë vlerë nga kjo. Migeli shpjegon: «Në vend që të përqendrohemi tek ajo që nuk mund të bëjmë gjatë pandemisë, përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë ndërsa jemi në shtëpi dhe përpiqemi të jemi mirënjohës për këtë.»

Përveç kësaj, ata vendosën të kalojnë më tepër kohë duke e lexuar përditë Biblën e duke medituar për të. Monika thotë: «Jemi të sigurt se në momentin e duhur Jehovai do të na ndihmojë të kujtojmë gjithë sa kemi futur në zemër.» Ndërsa Migeli shton: «Historia e vëlla Bazhenovit na motivoi [edhe] ta shohim ‘arrestin tonë të shtëpisë’ gjatë pandemisë si mundësi për të inkurajuar të tjerët, për të kënduar me gëzim për Jehovain dhe për të përmirësuar lutjet.»

Mund ta kapërcejmë frikën nga përndjekja

Motër Kristina Muhima Etonde po lexon për vëllezërit në Rusi që po qëndrojnë në përndjekje

Motër Kristina Muhima Etonde, që shërben si pioniere e rregullt në Kamerun, pranon se tregimet për përndjekjen e kanë frikësuar prej vitesh. Megjithatë, ajo shpjegon si ka ndryshuar mendim: «Kam ndryshuar komplet mendim pasi kam lexuar artikuj nga JW Lajme për motra e vëllezër që po i bëjnë ballë përndjekjes. Kur lexoj për qëndrimin dhe lutjet e tyre specifike, kur i shoh teksa buzëqeshin dhe kur mësoj si ishin përgatitur për përndjekjen, pavarësisht nga mosha, nxitem ta njoh edhe më mirë Jehovain. Dashuria ime për të është rritur aq shumë, saqë tani mund ta përfytyroj veten duke hasur përndjekje, por pa pasur frikë. E shoh veten të gëzuar, duke u lutur dhe duke menduar thellë për Jehovain.»

Përgatitemi që të mbrojmë besimin

Vëlla Julian Nistori dhe bashkëshortja, Oana, diskutojnë mbi artikujt në JW Lajme që flasin për vëllezërit e motrat që mbrojnë besimin

Vëlla Julian Nistori dhe bashkëshortja e tij, Oana, nga Rumania, u prekën nga mënyra si e mbrojti besimin në sallën e gjyqit vëlla Anatolij Tokarevi. Ai ishte i qetë, plot respekt dhe i vendosur të ruante integritetin. Shembulli i tij nxiti Julianin dhe Oanën të mendonin si mund të mbronin besimin në sallën e gjyqit. Oana shprehet: «Gjatë adhurimit familjar përfytyruam sikur ishim në gjyq, duke mbrojtur besimin tonë. Nuk e kishim fare të lehtë të shprehnim bindjet tona me takt e respekt si vëllai ynë. Në fund të studimit si familje u ndiem edhe më afër vëllezërve e motrave. Kuptuam edhe sa e rëndësishme është të jemi të përgatitur që të mbrojmë besimin dhe t’i kujtojmë vetes pse jemi krenarë që mbajmë emrin Dëshmitarë të Jehovait.»

Analizojmë cilësinë e lutjeve tona

Motër Ana Ravojarsoni nga Madagaskari po sheh artikujt e fundit në JW Lajme

Motër Ana Ravojarsoni nga Madagaskari u nxit të shqyrtonte cilësinë e lutjeve të saj. Pasi lexoi historinë e vëlla Jovidon Bobodzhonovit, Ana tha: «Ndonjëherë, kur më përpijnë aktivitetet e përditshme, e ndiej që bëj lutje mekanike, përsëris të njëjtat shprehje nëse nuk lë ca minuta që të mendoj se çfarë do t’i them Jehovait.» Pasi meditoi më tej për shembullin e Jovidonit, vuri veten në vend të tij dhe mendoi: «A do të thosha gjëra kaq specifike po të hasja një sprovë të ngjashme? Kështu mësova sa e domosdoshme është të veçoj kohë që të meditoj për ato që do t’i them Jehovait, para se të lutem. Jam tejet mirënjohëse për këto lajme!»

Jemi më të dhembshur me vëllezërit tanë

Vëlla Ruben Katarino dhe bashkëshortja, Andrea, po lexojnë historinë e një çifti në Rusi që po ndiqen penalisht për shkak të besimit

Vëlla Ruben Katarino dhe gruaja e tij, Andrea, që shërbejnë si pionierë të rregullt në Portugali, ndihen edhe më afër vëllezërve. Rubeni thotë: «Në të kaluarën e dinim që vëllezërit tanë në vende të tjera po përndiqeshin, por nuk i njihnim. Nuk e dinim cilët ishin, si jetonin ose çfarë vështirësish kishin. Nëpërmjet këtyre artikujve tani i njohim mirë. Mund të lutemi specifikisht për ta që të qëndrojnë, pavarësisht nga situatat e vështira. Kështu ndihemi më afër tyre dhe mendojmë se lutjet tona mund të ndikojnë më shumë.»

E çmojmë më shumë studimin personal

Motër Sesilia Kardoso po përdor JW Lajme si pjesë të programit të saj për studimin e Biblës

Me siguri mjaft prej nesh ndihen si motër Sesilia Kardoso, pioniere e rregullt nga Portugalia, që tha: «Ajo që kanë përjetuar vëllezërit e motrat, më nxit ta çmoj edhe më shumë studimin personal. Duke i kushtuar më tepër kohë studimit të Biblës, do të më rritet besimi dhe dashuria për Jehovain. Ai do të më ndihmojë ta shoh frikën si një grimcë rëre fare të vockël. Për mua është e qartë si drita e diellit se frika triumfon vetëm kur nuk mbështetemi më te Jehovai.»

Sa mirënjohës jemi për këta shembuj guximi e besimi të ditëve të sotme, që i gjejmë në jw.org! Këto tregime na ndihmojnë «të themi plot guxim: ‘Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë.’»—Hebrenjve 13:6.