4 NËNTOR 2019
LAJME NDËRKOMBËTARE
Dëshmitarët e Jehovait arrijnë një rekord të ri: JW.ORG në 1.000 gjuhë
Trupi Udhëheqës njofton me kënaqësi rekordin e fundit në predikimin e mesazhit të Biblës te të gjitha kombet. Tani siti JW.ORG ka artikuj, video dhe materiale audio në 1.000 gjuhë, ndër to 100 gjuhë të shenjave.
Vëllai Gerrit Lësh, anëtar i Trupit Udhëheqës, thotë: «Puna jonë me përkthimin ka filluar që në fund të viteve 1800 dhe kohët e fundit ka marrë përmasa kolosale.» Vëlla Xhefri Xheksoni, po ashtu anëtar i Trupit Udhëheqës, shton: «Në janar të 2013-s kapëm shifrën prej 508 gjuhësh dhe për këtë na u deshën pak më shumë se 100 vjet. Është e mahnitshme që në vetëm shtatë vjet, pothuajse e kemi dyfishuar numrin e gjuhëve në të cilat përkthejmë—nga 508 në 1.000.»
Materialet e panumërta të sitit mund të shkarkohen në 1000 gjuhë. Faqja e tij kryesore si dhe faqet e tjera janë në dispozicion në 821 gjuhë, një numër i paprecedent, çka e bën këtë sit më të përkthyerin në botë. Pjesa më e madhe e përkthimit bëhet nga vullnetarë të stërvitur mirë që punojnë në rreth 350 zyra rajonale përkthimi anekënd botës.
Vëllai Isak Mare, i cili mbikëqyr Repartin për Mbështetjen e Përkthimit në selinë botërore në Uoruik, Nju-Jork, SHBA, komenton: «Të përkthesh dhe të botosh materiale në kaq shumë gjuhë, është një sfidë e jashtëzakonshme. Ndonjëherë kemi dashur të përkthejmë materiale në një gjuhë që e flasin pak veta, por nuk i kishim të gjitha shkronjat e saj. Ja pse, ndër vite, kemi siguruar sa e sa shkronja e karaktere dhe falë kësaj kemi shtypur botime në qindra gjuhë. Gjithashtu kemi kapërcyer plot pengesa për t’i nxjerrë botimet në sitin jw.org në shumë gjuhë. Në fakt, mjaft nga këto 1.000 gjuhë nuk kanë asnjë botim tjetër në internet.»
Vëlla Klajv Martini, i cili mbikëqyr Repartin e Programimit MEPS, shtoi: «Një nga vështirësitë ishte të publikonim një artikull në qindra gjuhë, me tekste dhe kompozime të ndryshme, në një sit të vetëm. Për shembull, 21 nga gjuhët që kemi në sitin tonë shkruhen nga e djathta në të majtë. Kurse për 100 gjuhët e shenjave na u desh ta dizenjonim faqen në një mënyrë që personat që nuk dëgjojnë, ta përdornin kollaj.»
Zakonisht, bizneset i përkthejnë sitet e tyre vetëm në gjuhët që u sjellin shumë përfitime. Ndërsa motivi ynë si Dëshmitarë të Jehovait nuk është leverdia ekonomike, por të përhapim mesazhin e Biblës në mënyrë të thjeshtë e tërheqëse.
Falënderojmë e lëvdojmë Jehovain që bekon përpjekjet tona të palodhura për ‘të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. Besojmë që derisa Jehovai të thotë se vepra është kryer, do të vazhdojë të na sigurojë gjithë sa na duhet për t’ua çuar mesazhin e Mbretërisë njerëzve të sinqertë në mbarë botën.—Mateu 28:19, 20.