14 SHTATOR 2022
LAJME NDËRKOMBËTARE
Dëshmitarët e Jehovait rifillojnë shërbimin nga shtëpia në shtëpi
Më 1 shtator 2022, Dëshmitarët e Jehovait përreth botës rinisën plot emocion veprën e tyre të mirënjohur: predikimin shtëpi më shtëpi. Ky muaj është i veçantë edhe për shkak të fushatës speciale për të ofruar studime të Biblës. Për disa vëllezër e motra, ky ishte rikthim te një formë shumë e dashur shërbimi. Ndërsa për të tjerë, ishte hera e parë që u flitnin ballë për ballë fqinjëve për mesazhin e Biblës. Më poshtë do të lexoni disa përvoja nga vende të ndryshme të botës, që tregojnë se fillimi i vitit të shërbimit 2023 ishte vërtet historik.
Gjermani
Më 2 shtator 2022, Nikola dhe Tina, dy motra në Pitëz’hagën në Renaninë dhe Vestfalinë Veriore, po predikonin në një pallat, por s’gjetën asnjë në shtëpi. Ndërsa largoheshin, dëgjuan një grua që po i thërriste. Ajo u tha se nuk kishte mundur ta hapte derën kur trokitën motrat dhe iu lut që të ktheheshin për të folur për Biblën. Kur motrat hynë në shtëpinë e gruas, panë mbi tavolinë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Ajo u shpjegoi se Biblën e kishte marrë kur jetonte në Itali para 3 vjetësh. Por i kishte humbur kontaktet me Dëshmitarët e Jehovait kur ishte transferuar në Gjermani gjatë pandemisë. Motrat shkëmbyen kontaktet me gruan dhe e ftuan në mbledhje. Dy ditë më vonë, ajo bashkë me 2 fëmijët ndoqën mbledhjen dhe janë marrë masa që të studiojë Biblën.
Guatemalë
Manuel dhe Karola Gastelumi, të cilët shërbejnë si pionierë specialë në fushën e gjuhës mame, takuan një grua të sjellshme që i ftoi në shtëpi. Ajo nuk e dinte që Zoti kishte emër, ndaj nisën të shqyrtonin mësimin 04 me titull «Kush është Perëndia» të librit Gëzoje jetën përgjithmonë. Pasi lexuan Isainë 42:8, gruaja u habit kur pa se në Biblën e saj ishte emri i Perëndisë, Jehova.
Ajo nisi të qante dhe tha se tani e kuptonte se nuk mjaftonte vetëm të kishte një Bibël. Përkundrazi duhej ta lexonte dhe ta zbatonte në jetën e saj. Pasi mbaruan mësimin, gruaja ishte shumë mirënjohëse për gjërat që mësoi. Madje tha se do t’ia tregonte edhe të shoqit. Çifti Gastelum ranë dakord me gruan që të vazhdonin bisedat nga Bibla.
Japoni
Ndërsa kishin dalë në predikim në Jokohamë, çifti Nukamori i ranë citofonit të një shtëpie, ku u përgjigj një grua. Ata u prezantuan dhe i thanë se ishin Dëshmitarë të Jehovait. E zonja e shtëpisë i tha çiftit të prisnin pak te dera. Pas pak, hapi derën dhe u tha: «Kam pritur që të vijnë Dëshmitarët e Jehovait.»
Gruaja u shpjegoi se kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në Nagasaki. Gjatë pandemisë ishte transferuar në Jokohamë, por e kishte vazhduar studimin me Zoom. Gjatë asaj jave, mësuesja e Biblës i kishte thënë: «Në shtator do të zhvillohet një fushatë dhe me siguri do të të vijë në shtëpi ndonjë Dëshmitar i Jehovait. Duhet t’i kërkosh të studioni Biblën bashkë.» Gruaja ishte njëkohësisht e lumtur dhe e habitur që Dëshmitarët kishin ardhur kaq shpejt. Ajo shprehu dëshirën për të ndjekur mbledhjet dhe lanë takim që të vazhdonin studimin javën pasuese.
Meksikë
Pasi një çift i ofroi një studim të Biblës një gruaje, ajo u tha se vite më parë kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait, madje kishte shkuar në mbledhjet e kongregacionit. Por i kishte humbur kontaktet me Dëshmitarët dhe i vinte shumë turp t’i kërkonte prapë ngaqë nuk po jetonte sipas parimeve të Biblës. Me të thënë këtë, filloi të qante. Çifti i lexoi Psalmin 10:17 dhe i shpjeguan se Jehovai nuk e kishte harruar. Gjithashtu e lavdëruan që dëshironte të jetonte sipas standardeve të Jehovait. Ajo pranoi të fillonte studimin dhe tha se edhe djali i saj 16-vjeçar donte të mësonte më tepër për Biblën.
Kur çifti u kthye ditën tjetër, gruaja bashkë me djalin po i prisnin. Pasi studiuan mësimin 01 të broshurës Gëzoje jetën përgjithmonë, çifti i ftoi të vinin në mbledhjen e fundjavës, dhe ashtu bënë. Si gruaja, edhe djali i saj duan ta vazhdojnë studimin dhe të ndjekin mbledhjet.
Porto-Riko
Ramoni u lut që të fliste me dikë për lajmin e mirë ditën e parë që rifilloi shërbimin shtëpi më shtëpi. Në derën e parë që trokiti, i doli një grua. Ramoni e përshëndeti shkurt dhe u prezantua. Para se t’i predikonte, gruaja i tha: «Nuk e ke idenë sa e kam pritur këtë moment! Jam lutur që të vini e të trokitni në derën time.»
Ajo i shpjegoi se i kishte takuar Dëshmitarët disa vjet më parë dhe kishte ndjekur një mbledhje kongregacioni. Por ngaqë ndërroi shtëpi, kishte humbur të gjitha kontaktet me Dëshmitarët. Ramoni i shpjegoi se vepra jonë shtëpi më shtëpi ishte pezulluar gjatë pandemisë. Pastaj ai i lexoi Psalmin 37:29 dhe i shpjegoi si zhvillohej një studim i Biblës. Gruaja pranoi gjithë qejf dhe Ramoni i la një takim me një motër.
Pas kësaj përvoje, Ramoni tha: «E di se Jehovai dhe engjëjt po na drejtojnë te njerëzit që duan të dëgjojnë.»
Shtetet e Bashkuara
Kejtlina Tompsoni po predikonte në një shtëpi në Kentaki dhe vuri re se në kutinë postare ishin të shkruara vargje nga Bibla, kurse në kopsht kishte një shenjë të vogël që thoshte «Jezui të do». Kur trokiti në derë, doli një grua. Kejtlina u prezantua dhe i shpjegoi se Dëshmitarët e Jehovait nuk kishin mundur t’i takonin njerëzit në shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë COVID-19. Gjithashtu i përmendi se Dëshmitarët kishin shkruar letra dhe kishin bërë telefonata gjatë pandemisë për t’u dhënë zemër e për t’i ngushëlluar të tjerët. Pastaj Kejtlina e pyeti gruan si ishin ajo dhe familja. Gruaja i tha se i kishte vdekur i ati gjatë pandemisë. Pastaj shtoi: «I kam marrë letrat tuaja dhe jam ndier sikur Zoti po më jepte atë që kisha nevojë fiks kur kisha nevojë.» Kejtlina i shprehu ngushëllimet për të atin dhe filluan të shqyrtonin mësimin 02 të broshurës Gëzoje jetën përgjithmonë. Lexuan shkrimet e mësimit dhe u përqendruan te shpresa e ringjalljes. Gruaja filloi të qante dhe i shpjegoi se fiks një vit më parë i kishte vdekur i ati. Ajo i dha Kejtlinës numrin e saj të telefonit dhe ranë dakord që të takoheshin prapë. Më vonë gjatë ditës, Kejtlina mori një mesazh nga gruaja ku thuhej: «Faleminderit! Kisha vërtet shumë nevojë për inkurajim sot!»
S’ka pikë dyshimi se Jehovai e ka bekuar rinisjen e shërbimit shtëpi më shtëpi dhe fushatën për të filluar studime. Mezi po presim të shohim rezultatet e mëtejshme.—Gjoni 4:35.
Bahama
Kamerun
Panama
Filipine
Koreja e Jugut
Shtetet e Bashkuara