Kalo te përmbajtja

26 SHKURT 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Dëshmitarët e Jehovait sigurojnë ndihma gjatë këtij viti me numër rekord katastrofash, pavarësisht nga pandemia COVID-19

Dëshmitarët e Jehovait sigurojnë ndihma gjatë këtij viti me numër rekord katastrofash, pavarësisht nga pandemia COVID-19

Viti i shërbimit 2020 shënoi fillimin e një pune të paprecedentë globale të organizatës sonë për të ofruar ndihma në rast katastrofash, punë e cila po vazhdon ende sot. Në mbarë botën janë formuar mbi 950 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK). Përveç pandemisë, gjatë vitit 2020 pati emergjenca dhe katastrofa natyrore shkatërrimtare. KNRK-të hasën sfidën e dyfishtë që duhej t’u siguronin vëllezërve ndihma urgjente ndërkohë që respektonin masat parandaluese kundër COVID-19. Vëllezërit e motrat që ndihmuan, tregojnë se kjo vepër u ka forcuar besimin. Poshtë renditen disa nga ngjarjet që përjetuan vëllezërit tanë:

Stuhi shkatërrimtare

Gjatë vitit të shërbimit 2020, pati gjithsej 126 stuhi të fuqishme që prekën vëllezërit tanë, pra 11,5 për qind më shumë krahasuar me vitin e shërbimit 2019. Mjaft prej këtyre stuhive shkaktuan përmbytje ose rrëshqitje dheu shkatërrimtare.

Për shembull, shumë ciklone tropikale goditën Filipinet, duke detyruar një numër të madh lajmëtarësh të evakuoheshin.

Përmbytje në Filipine nga tajfuni Vamko, i cili ra vetëm pak javë pas supertajfunit Goni, një nga ciklonet më të fuqishme që ka rënë ndonjëherë

Shira të furishme anekënd Nigerisë dëmtuan prodhimet bujqësore të vëllezërve tanë.

Përmbytjet në Shtetin e Lumenjve pas shirave të rrëmbyera në Nigeri

Korenë e Jugut, stina e musoneve zgjati më shumë se zakonisht dhe shkaktoi dëme të rënda.

Përmbytjet në Korenë e Jugut gjatë stinës më të gjatë të musoneve në historinë e këtij vendi

Zjarre të mëdha

Në shumë vende pati zjarre shkatërrimtare, disa prej të cilave ishin më të mëdhatë në histori.

Për shembull, në disa zona ranë zjarre gjigante, flakët e të cilave përpinë të paktën 400.000 hektarë tokë dhe u shkaktuan dëme disa vëllezërve.

Kështu ndodhi në Shtetet e Bashkuara.

Zjarret në Kaliforni, SHBA

Edhe në Australi vëllezërit tanë pësuan dëme për shkak të zjarreve të mëdha.

Zjarret në Australi

Japin ndihmë me efektshmëri ndërkohë që respektojnë masat e sigurisë

Kur ndodhën këto katastrofa, organizata përgatiti manuale për sigurinë, që të mbronte shëndetin e atyre që jepnin dhe të atyre që merrnin ndihmë.

Vëlla Han Çan Hi

Vëlla Han Çan Hi, pjesëtar i një KNRK-je në Korenë e Jugut, tregon për disa masa sigurie që u morën për të mbrojtur vëllezërit e motrat: «Çdo mëngjes, u kontrollonim temperaturën të gjithëve, ruanim vazhdimisht distancimin fizik, kufizonim numrin e vullnetarëve që ndihmonin dhe shmangnim grumbullimet gjatë vakteve dhe pushimeve. Gjithashtu, vullnetarët duhej të dezinfektonin mjetet e punës para dhe pas pune.»

Vëlla Kris Shira

Disa nga vëllezërit tanë u evakuan ose humbën shtëpitë për shkak të katastrofave. Vëlla Kris Shira, që ndihmoi në një KNRK kur flakët e zjarrit përfshinë bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, shpjegon: «Mbikëqyrnim me kujdes sa veta strehonim në një shtëpi, që t’u bindeshim masave parandaluese kundër COVID-19.»

Vëlla Filips Akinduro

Në shumë zona, rregullat për sigurinë dhe udhëtimin e kufizonin numrin e vullnetarëve që mund të ndihmonin në rast katastrofash. Vëlla Filips Akinduro, i cili ndihmoi në një KNRK në Nigeri, shpjegon: «Sfida më e madhe që hasëm, ishte se [qeveria] kufizoi lëvizjen e njerëzve. Prandaj nuk ishte e lehtë të gjenim të gjithë vullnetarët që na nevojiteshin.»

Vëlla Kim Jun Hieng

Edhe vëlla Kim Jun Hieng, që ndihmoi një KNRK në Korenë e Jugut, përshkruan qëndrimin e atyre që ndihmuan: «Ngaqë po ofronim ndihmë të shtyrë nga dashuria për Perëndinë dhe për vëllezërit tanë, tregonim kujdes tërë kohës për jetën dhe për sigurinë e të gjithëve. Ndaj, edhe pse na u desh të respektonim masa të veçanta parandaluese, ia dolëm të ruanim gëzimin teksa jepnim ndihmën tonë.»

Ndihma në rast katastrofash forcon besimin

Ndihma në rast katastrofash u sigurua me sukses, pavarësisht nga vështirësitë që shtoi edhe pandemia. Kjo ua forcoi shumë besimin dhe sigurinë të gjithë vëllezërve të përfshirë në këtë vepër.

Për shembull, vëllai Han vriste mendjen nëse KNRK-ja do të gjente shpejt aq vullnetarë sa duheshin për të nisur punën pa kaluar 24 orë. Ai shpjegon: «Brenda pak orëve, kuptova se isha shqetësuar kot. Qindra vëllezër e motra nga çdo cep i vendit u ofruan për të ndihmuar. Ishin aq shumë, sa na u desh t’u thoshim ‘jo’ disave.» Në fund thotë: «E ndjeva që Jehovai ishte me ne, dhe kjo më preku thellë.»

Vëlla Bred Bener

Po njësoj, edhe vëlla Bred Beneri shpjegon si u ndie pasi ndihmoi kur në Honduras ra një uragan: «Edhe pse ishte një situatë stresuese, vëllezërve të evakuar iu sigurua ushqimi, strehimi dhe ngushëllimi nga Shkrimet që u duhej. E pashë me sytë e mi se as dy uragane bashkë me një pandemi globale nuk e shkatërrojnë dot dashurinë që ekziston në organizatën tonë.»

Vëlla Alkin Dajeg

Vëlla Alkin Dajeg, që ndihmoi një KNRK në Filipine, përfundon me këto fjalë: «E gjithë kjo situatë më bëri të kuptoj edhe më shumë se Jehovai na siguron me bujari fuqinë përtej asaj që është normale dhe mençurinë që na duhet për të kryer një caktim.»—2 Korintasve 4:7.

E çmojmë tërë punën e palodhur që kanë bërë të gjitha zyrat e degëve, KNRK-të dhe ata vëllezër e motra që ndihmuan në raste katastrofash. Përpjekjet e tyre të motivuara nga dashuria dhe dhurimet bujare bënë të mundur që t’u sigurohej ndihmë atyre që kishin nevojë gjatë këtij viti me numër rekord katastrofash.—1 Selanikasve 1:3.