30 DHJETOR 2019
LAJME NDËRKOMBËTARE
Ecën para projekti kolosal i dhënies së ndihmës pas stuhisë Idai
Ngaqë në mars 2019 stuhia Idai goditi bregun juglindor të Afrikës, degët në Malavi, në Mozambik dhe në Zimbabve organizuan shpejt 14 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) që të kujdeseshin për nevojat e Dëshmitarëve të prekur. Në të tria vendet tashmë vëllezërit kanë rindërtuar ose riparuar më shumë se 650 nga 1.434 shtëpitë e dëmtuara të bashkëbesimtarëve. Gjithashtu, nga 29 Salla Mbretërie kanë rindërtuar 8 dhe kanë riparuar 10.
Gjatë 9 muajve të kaluar, më shumë se 3.500 vëllezër dhe motra kanë dhënë një dorë në këtë projekt gjigant. Disa vullnetarë udhëtuan nga larg. Ata erdhën nga vende të Afrikës, po ashtu edhe nga Brazili, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Vullnetarë me aftësi të ndryshme u mësuan vëllezërve vendës zanate të domosdoshme, si murator dhe karpentier.
Pasi stuhia Idai goditi provincat e Mankës dhe të Sofalit në Mozambik, u shkatërruan rreth 70 për qind e prodhimeve bujqësore të vëllezërve. Nën drejtimin e degës, KNRK-ja e asaj zone shpërndau rreth 430 tonë ushqime. KNRK-ja zgjodhi ushqime të përditshme për vëllezërit vendës, si: miell misri, fasule, vaj, kripë dhe sheqer. U shpërndanë edhe 5 tonë fara domateje, misri dhe orizi, që janë prodhime të zakonshme për zonën.
Sipas degës në Malavi mendohet se ky projekt do të përfundojë brenda shkurtit 2020 dhe sipas degës në Mozambik brenda janarit 2020. Kurse në Zimbabve ka përfunduar që në shtator 2019. Është përllogaritur që i gjithë projekti për dhënien e ndihmës të shkojë 4 milionë dollarë.
Trent Edsoni, anëtar i Komitetit të Degës në Zimbabve që shërben në Zyrën e Ndihmës në Rast Katastrofash, komenton: «Vëllezërit dhe motrat ishin jashtë mase të lumtur që iu rindërtuan shtëpitë. Na u bë zemra mal teksa shihnim merakun e madh që treguan vëllezërit vendës dhe ata që vinin nga larg. Të gjithë donin të jepnin një dorë!»
Bashkë me mbi 10.000 vëllezërit dhe motrat që u prekën nga stuhia në juglindje të Afrikës falënderojmë Jehovain teksa shohim dashurinë vëllazërore në «ditë të vështira».—Proverbat 17:17.
Vullnetarët rindërtojnë shtëpinë e vëllait Uajlos Bendajra dhe gruas së tij Asinura Bendajra, nga kongregacioni Kalongonjo në Malavi
Vëlla Nehemaja Tigere dhe gruaja e tij, Fatima Sengami Tigere, pranë shtëpisë së rindërtuar, në Zimbabve
Vëllezërit Uitnes Jabu dhe Agustin Kamazi, që shërbejnë si mbikëqyrës qarkorë, bëjnë një vizitë baritore te një familje Dëshmitarësh që iu është dëmtuar shtëpia, në Nçurlo, Malavi
Vullnetarë në Shimojo, Mozambik, shkarkojnë farë misri që do t’u shpërndahet vëllezërve në gjithë vendin
Vëllezërit po bëhen gati të kalojnë lumin Shire me kanoe, që të çojnë ndihma te bashkëbesimtarët që jetojnë afër kufirit në Mozambik
Vëllezër e motra transportojnë ndihmat nga Malavia në një Sallë Mbretërie në fshatin Tengane, Mozambik
Vëllezër e motra marrin ndihma në Sallën e Mbretërisë në fshatin Tengane, Mozambik