16 MAJ 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE
Flasin për lajmin e mirë gjatë eklipsit diellor, në Amerikën e Veriut
Më 8 prill 2024, një eklips i plotë diellor ishte i dukshëm në disa vende të Amerikës së Veriut. Miliona njerëz u turrën për të parë këtë fenomen natyror, shumë prej tyre nga distanca të mëdha. Një fushatë speciale predikimi u organizua në më shumë se 24 qytete ku do të shihej eklipsi. Morën pjesë Dëshmitarë të Jehovait nga Kanadaja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Meksika duke e ekspozuar literaturën në stenda në rreth 15 gjuhë.
Në Kabëndejll, Ilinois, SHBA, 2 studentë universiteti iu afruan një stende. Një nga motrat nisi bisedën me ta duke u bërë pyetjen e ekspozuar në stendë: «A u krijua jeta?» Në bisedë e sipër, njëri nga djemtë pyeti: «Nëse Zoti ekziston dhe na do, pse i lejon vuajtjet?» Motra i tregoi si ta gjejë përgjigjen nëpërmjet sitit jw.org. Të dy studentëve u bëri shumë përshtypje një nga videot që i përgjigjej kësaj pyetjeje. Djemtë u shprehën se do t’u pëlqente të dinin më shumë dhe se do të flisnin me shokët e tyre për gjërat që sapo kishin mësuar.
Në Sherbruk, në Kuebek të Kanadasë, një djali që gjuhën amtare kishte punjaben, i bëri përshtypje që një motër në stendë e përshëndeti në gjuhën e tij. Ky gjest i thjeshtë çoi në një bisedë të bukur dhe motra i tregoi si bëhej studimi i Biblës me broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë. Ai u mahnit që studimin e Biblës mund ta bënte në një vend dhe orar të përshtatshëm për të, madje edhe nëpërmjet videokonferencës. Motra i organizoi gjërat që një vëlla të fillonte studimin e Biblës me të.
Një motër tjetër në dëshminë me stenda, në Evënsvill të Indianës, SHBA, nisi të bisedonte me një grua që po thoshte se ishte transferuar në atë zonë për të ndihmuar mamanë e sëmurë. Motra jonë i shpjegoi se edhe ajo ishte kujdesur për nënën e saj dhe i kuptonte vështirësitë e kësaj situate. Pastaj motra i lexoi fjalët ngushëlluese të Isaisë 33:24 dhe Zbulesës 21:4. Gruaja u prek thellë nga këto premtime të Biblës dhe i kërkoi motrës që t’ia lexonte edhe një herë vargjet. Bënë një bisedë të bukur dhe u organizuan që ta vazhdonin një herë tjetër.
Jemi të lumtur që motrat e vëllezërit në mbarë Amerikën e Veriut shfrytëzuan këtë rast special për t’u folur të tjerëve për ‘Krijuesin e Madh’ dhe për premtimet e tij të mrekullueshme.—Eklisiastiu 12:1, 2.