14 NËNTOR 2019
LAJME NDËRKOMBËTARE
Fushatë speciale në Austri dhe Gjermani për ata që flasin arabisht
Nga 31 gushti deri më 26 tetor 2019, vëllezër e motra nga 19 vende morën pjesë në një fushatë predikimi në fushën arabe në Austri dhe Gjermani. Gjatë kësaj fushate speciale, 1.782 lajmëtarët kaluan gjithsej 40.724 orë në këtë vepër arsimimi, shfaqën 4.483 video dhe shpërndanë 24.769 botime të bazuara në Bibël.
Vitet e fundit, në Austri dhe Gjermani kanë hyrë mbi 1 milion refugjatë, pjesa më e madhe nga vende ku flitet arabisht. Shumë nga këta refugjatë s’e kanë dëgjuar kurrë mesazhin ngushëllues të Biblës. Vëllezër e motra që erdhën nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të ndryshme të Evropës u dhanë një dorë 1.108 lajmëtarëve që shërbejnë në gjuhën arabe në Austri dhe Gjermani. Ata kanë predikuar në 24 rajone, përfshirë qytete të mëdha, si Berlini, Dresdeni, Frankfurti, Graci, Hamburgu, Këlni dhe Vjena.
Një vëlla vendës shkroi: «S’na e kishte marrë mendja që kjo fushatë do të na inkurajonte kaq shumë. U ndiem të motivuar nga vëllezërit që erdhën për të na ndihmuar, ndaj u jemi mjaft mirënjohës. Për ne ishte privilegj i madh që morëm pjesë në këtë fushatë speciale.»
Pasi ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, një i ri nga një vend arabishtfolës iu afrua një vëllai dhe gjithë entuziazëm e pyeti: «A e di ç’do të thotë mahabba në gjermanisht?»
Vëllai u përgjigj: «Liebe (domethënë dashuri)!»
Djali tha: «Po, tamam këtë pashë sot me sytë e mi! Ju u sollët shumë mirë me mua. Të gjithë më përshëndetët dhe më dhatë dorën. Pashë njerëz nga vende të ndryshme që e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt. Një gjë është e sigurt, po të silleshin të gjithë si ju, bota do të ishte ndryshe!»
Një burrë tha kështu për Dëshmitarët e Jehovait: «Jeni bërë ekspertë në mënyrën si i trajtoni të tjerët dhe keni krijuar një nga komunitetet më të mira në botë.»
Një çift nga një vend arabishtfolës, që kishin një vit në Gjermani, ftuan vëllezërit në shtëpinë e tyre për një filxhan çaj. Kur vëllezërit i shpjeguan pse kishin shkuar, gruaja i pyeti: «Dëshmitarë të Jehovait jeni?» Pasi vëllezërit pohuan, ajo tha: «S’më besohet! Kam muaj që ju kërkoj. Madje ju kam kërkuar edhe te stacioni i trenit. Dhe ju më keni ardhur në shtëpi. Me siguri ju ka dërguar Zoti.»
Jehovai e ka bekuar jashtëzakonisht zellin e vëllezërve e të motrave që morën pjesë në këtë fushatë speciale, për t’u dhënë mesazhin shpresëdhënës të Biblës ‘njerëzve nga të gjitha kombet’.—Mateu 28:19.