Kalo te përmbajtja

21 MARS 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

Fushatë speciale predikimi në Bolivi e në Kolumbi

Fushatë speciale predikimi në Bolivi e në Kolumbi

Nga 1 nëntori i 2023-shit deri më 31 janar 2024, mbi 19.000 Dëshmitarë të Jehovait morën pjesë në një fushatë speciale predikimi në Bolivi dhe Kolumbi. Gjatë fushatës, mesazhi shpresëdhënës i Biblës u predikua në spanjisht dhe në 18 gjuhë të tjera, përfshirë gjuhët boliviane dhe kolumbiane të shenjave.

Predikojnë mesazhin e Biblës në zonat rurale të Bolivisë

Një vëlla spanjishtfolës në Guadalupe, Kolumbi, u habit kur një grua hapi derën dhe i tha: «Po ju prisnim!» Gruaja i shpjegoi se pak ditë më parë, po fliste me të shoqin nëse duhej apo jo t’i kremtonin disa festa fetare. Bashkëshorti i kishte thënë se kishte parë vëllezërit tanë të predikonin aty afër. Ai ishte i sigurt se Dëshmitarët shumë shpejt do të shkonin edhe në shtëpinë e tyre, dhe kështu mund t’i pyesnin. Vëllezërit ishin të lumtur t’u tregonin çfarë thotë Bibla dhe të organizonin që dikush të vazhdonte t’i vizitonte.

Predikojnë lajmin e mirë në Kolumbi

Ndërsa predikonin në qytezën e Kuatro-Kanjadës, Bolivi, 2 motra iu afruan një gruaje të quajtur Miguelina, jashtë një dyqani. Morën vesh që kohët e fundit kishte humbur një njeri të dashur, prandaj i lexuan Zbulesën 21:3, 4. Miguelina tha se dëshironte të dinte më shumë për Biblën, por jetonte në një zonë të largët dhe nuk kishte telefon. Gjithsesi, disa ditë më vonë, 2 motrat po i predikonin një gruaje të re në periferinë e të njëjtit qytet. Krejt papritur, Miguelina del nga shtëpia. Motrat u habitën kur morën vesh se gruaja me të cilën po flisnin, ishte vajza e Miguelinës. Të gjitha u gëzuan shumë. Motrat ranë dakord që ta studionin Biblën me të gjithë familjen.

Jemi të sigurt se Jehovai i vlerëson tej mase përpjekjet e vëllezërve e të motrave që morën pjesë në fushatë dhe do të vazhdojë ta bekojë popullin e tij ndërsa ua predikon lajmin e mirë «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolosianëve 1:23.