Kalo te përmbajtja

8 JANAR 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Fushata për Mbretërinë 2020: Vëllazëria në mbarë botën merr zemër nga kjo «fushatë e paharrueshme»

Fushata për Mbretërinë 2020: Vëllazëria në mbarë botën merr zemër nga kjo «fushatë e paharrueshme»

Shërbimi gjatë muajit nëntor 2020 do të mbahet mend nga Dëshmitarët e Jehovait si një moment historik. Shumica prej nesh ishim të izoluar në shtëpi për shkak të një pandemie vdekjeprurëse. Edhe pse nuk kanë përdorur metodat e zakonshme të predikimit, Dëshmitarët e Jehovait e përfunduan me sukses këtë fushatë ndërkombëtare për të shpallur Mbretërinë e Perëndisë. Miliona veta anembanë botës punuan fort për t’ua shpërndarë Kullën e Rojës, nr. 2 2020, bizneseve, zyrtarëve, mësuesve, miqve, të afërmve dhe njerëzve në përgjithësi. Kjo fushatë inkurajoi të gjithë ata që ishin të gatshëm të dëgjonin. Por u solli gëzim e freskim edhe atyre që morën pjesë.

Ja disa eksperienca dhe komente nga vëllezër dhe motra nga e tërë bota:

AUSTRALAZI

Motër Lusinda Furkini

Një motër nga Australia, Lusinda Furkini, 18 vjeçe, që s’ka shumë që është pagëzuar, shkroi: «Pavarësisht nga problemet e rënda shëndetësore në kulmin e pandemisë, më dukej sikur Jehovai më shtrëngonte dorën. E ndieja që më jepte zemër dhe forcën e nevojshme për të përballuar këtë situatë.»

Një baba në Zelandën e Re shpjegoi si e ndihmoi kjo fushatë familjen e tij: «Si prindër të 4 vajzave 7, 9, 11, dhe 13 vjeçe, kuptuam që kjo fushatë ndërkombëtare ishte një caktim nga Ati ynë i dashur, Jehovai. Kjo na ndihmoi të predikonim çdo ditë gjatë periudhës së fushatës.»

BOTSVANË

Kagiso dhe Lidia Marumo, që shërbejnë në veprën qarkore, u dërguan kopje digjitale të revistës të afërmve të tyre që s’janë Dëshmitarë. Disa prej tyre u përgjigjën duke shprehur mirënjohje për mesazhin. Një prej të afërmve të Kagisos, që punon si mjeke, tha se revista i erdhi fiks në kohën e duhur. Ajo shpjegoi se disa nga pacientët e saj kishin pyetje për Zotin dhe Biblën. Gjithashtu, fëmijët e saj ishin përfshirë në okultizëm. Çifti Marumo e mori në telefon të afërmen dhe po atë natë nisën të studionin Biblën. Tani studiojnë së bashku 2 herë në javë.

Vëlla Kagiso Marumo me të shoqen, Lidian

KANADA

Motër Soroja Tompsoni

Soroja Tompsoni, një motër pioniere në Ontario, shkroi: «Kjo fushatë sikur më solli në vete, që të përqendrohesha te gjërat më të rëndësishme dhe më kujtoi sa shumë kemi për të bërë akoma në këtë vepër. Më kujtoi edhe që Jehovai i do të gjithë dhe nuk ka dëshirë që të shkatërrohet njeri. Kjo pikëpamje më nxiti të përpiqesha edhe më fort gjatë fushatës.»

Një motër nga Kolumbia Britanike u shpreh: «Gjatë kësaj kohe stresuese vendosa të shërbeja si pioniere ndihmëse që të luftoja mendimet negative. Kjo pati një efekt pozitiv tek unë, madje edhe te familja ime.»

Dega e Kanadasë raporton se fushata i ndihmoi familjet të ishin më të bashkuara. Edhe fëmijët ndiheshin më të dobishëm gjatë shërbimit, sepse mund të shkruanin vetë letra të thjeshta. Gjithashtu kënaqeshin kur jepnin një dorë për të vendosur pullat në zarfe, kur shkruanin emrat dhe kur kërkonin për adresa.

FINLANDË

Çifti Tomisto, që shërbejnë në veprën qarkore, komenton: «Këtu në veri, nëntori është muaji që ka më pak dritë gjatë vitit. Ndaj vëllezërit dhe motrat, sidomos pionierët, ishin mirënjohës për këtë fushatë sepse ajo i ndriçoi të gjithë.»

Vëlla Timo Tomisto me të shoqen, Evën

Një çift mori një letër falënderimi pasi i dërguan revistën dikujt që njihnin. Mes të tjerave aty shkruhej: «Sot isha duke lexuar ungjillin e Gjonit. Aty thuhet se besimi pa vepra është i vdekur. Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur gjithmonë që të takojnë njerëzit dhe t’u shpjegojnë e t’u mësojnë Biblën. Me veprat e tyre na forcojnë besimin.»

GREQI

Dega e Greqisë raportoi: «Për shumë veta, pandemia, masat kufizuese dhe lockdown-i janë rraskapitëse dhe stresuese. Fushata ishte ç’ka na duhej që të merrnim zemër. Mjaft vëllezër dhe motra e kanë përshkruar fushatën si ‘oazë për shpirtin’.»

Motër Suzi Kontargiri

Motër Suzi Kontargiri vendosi të bëhej pioniere ndihmëse, pavarësisht nga problemet shëndetësore dhe pavarësisht se bashkëshorti nuk është Dëshmitar. Ajo thotë: «Falë kësaj fushate nuk kisha më mendime negative. Ngrihesha në mëngjes e gëzuar, bëja punët e shtëpisë, gatuaja, ndihmoja tim shoq dhe pastaj filloja shërbimin. Shpesh bashkëshorti më pyeste ‘S’do dalësh në shërbim sot?’, sepse u mësua të më shihte të lumtur ndërsa kaloja kohë me motrat në shërbim.»

JAPONI

Motër Tamaki Hirota u shkroi letra zyrtarëve të qeverisë. Ajo u shpreh: «Ai që nisi dëshminë me letra, ishte Jehovai. Ai i shkroi 66 letra njerëzimit, të cilat njerëzit i kanë lexuar vazhdimisht përgjatë historisë me synimin për t’u afruar me Të. Jehovai e di mirë sa e efektshme është kjo metodë. Nuk do ta harroj kurrë këtë fushatë.»

Motër Tamaki Hirota

SRI-LANKË

Motrave Meharaxha Vixhaja dhe Imajanatan Amuta u kishin caktuar pa dashje që të dërgonin një letër në të njëjtën adresë. Marrësi e flaku letrën e parë pa e hapur fare. Pastaj pa edhe letrën e dytë. Ai mendoi se meqë kishin ardhur dy letra me të njëjtin mesazh, duhej të ishte diçka e rëndësishme. Lexoi revistën, mori në telefon motrën që dërgoi letrën e dytë dhe pranoi të studionte Biblën.

Nga e majta: motrat Meharaxha Vixhaja dhe Imajanatan Amuta

Kur mori revistën, një zyrtare vendëse telefonoi zyrën e degës në Sri-Lankë. Ajo tha se nuk kishte takuar asnjëherë një Dëshmitar të Jehovait edhe pse ishte e krishterë. Pasi tregoi vlerësim për revistën dhe për sitin tonë, pyeti: «Si të bëhem edhe unë një Dëshmitare e Jehovait?» U morën masa që dikush të vazhdonte bisedën me të.

SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Një lajmëtar 13-vjeçar që shkon në një shkollë ku diskutohet shumë për politikën, shpjegoi si e ndihmoi kjo fushatë: «Tani e kisha më të lehtë që t’u shpjegoja mësuesve arsyet pse isha asnjanës. Kjo ma forcoi jashtë mase besimin.»

Motër Margit Heringu

Motra Margit Hering ndihet njësoj. Ajo shkroi: «Fushata më dha guxim dhe më nxiti që të isha më e zellshme. Në fillim, vetëm ideja që të flisja me pronarët e bizneseve ose me zyrtarë të ndryshëm më fuste në ankth. Të mësosh të mbrosh bindjet e tua duke ruajtur qetësinë është praktikë e mirë për të ardhmen.»

Një plak kongregacioni u shpreh: «U preka jashtë mase sidomos nga ata që shërbyen si pionierë pavarësisht nga problemet e rënda shëndetësore. Mund të mendonin që s’ishin në gjendje të përfshiheshin dhe aq shumë për shkak të shëndetit. Mirëpo e shfrytëzuan mundësinë për të marrë pjesë në këtë fushatë. Gëzimi dhe vlerësimi që treguan për Jehovain dhe për vëllezërit shpesh na i mbushte sytë me lot.»

Ka plot eksperienca të tjera nga e gjithë bota, më shumë se ç’mund të përmendim në këtë lajm. Çfarë gëzimi që provuam ndërsa përpiqeshim fort të kontaktonim miliona njerëz për t’u dhënë lajmin e mirë për Mbretërinë!—Gjoni 15:11.