3 DHJETOR 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
Fushata për Mbretërinë 2020: Zyrtarët shprehin mirënjohje
Gjatë muajit nëntor, Dëshmitarët e Jehovait përreth globit ua shpërndanë bizneseve, familjarëve dhe njerëzve të interesuar për Perëndinë, Kullën e Rojës nr. 2 2020, botimi për publikun. Ajo që spikati në këtë fushatë, ishte fakti se revista iu shpërnda edhe zyrtarëve në çdo rang qeveritar. Zyrat e degëve kanë marrë plot letra me përgjigje pozitive.
Në Sierra-Leone, Reks Bonafa, zv. ministri në Ministrinë e Tokave, të Strehimit dhe të Planifikimit të Vendit, u shkroi një letër vëllezërve që t’i falënderonte për revistën. Ai thotë: «Më duhet ta pranoj se revista juaj më ka dhënë zemër dhe është plot me informacione. E lexoj përditë.»
Kryeministri i Samoas dërgoi një letër falënderimi ku shkruante sa shumë e çmonte Lutjen e Zotërisë. Gjithashtu, kreu i shtetit, Tuimalealifano Valetoa Sualuvi II, tha se e vlerëson arsimimin nga Bibla që ofrojnë Dëshmitarët e Jehovait. Ai shpjegoi se «njerëzit po marrin ndihmën e duhur duke mësuar nga Bibla, me qëllim që të ndryshojnë jetën e tyre». Madje i lavdëroi vëllezërit që kishin ndërprerë mbledhjet në Sallën e Mbretërisë dhe predikimin derë më derë, për shkak të pandemisë COVID-19.
Osvaldo Kartahena Garsia në Kili, që punon si Sekretar i Përgjithshëm në Bashki, komentoi: «Shpresoj që kjo fushatë me qëllim fisnik, të shërbejë për t’i ndriçuar njerëzit me autoritet në shtetin tonë, duke i motivuar që të bëjnë gjëra të mira për komunitetin, sidomos në situatën që po kalojmë këtu dhe në të gjithë botën.»
Një anëtar i parlamentit gjerman (Bundestagu gjerman) i shkroi degës së Evropës Qendrore në Gjermani: «Feja juaj nuk është e panjohur për mua. E respektoj faktin që pjesëtarët e fesë suaj e deklarojnë plot guxim se janë Dëshmitarë të Jehovait. . . . Gjithashtu e di mirë se ju keni qenë grupi më i përndjekur gjatë kohës së Rajhut të Tretë (regjimit nazist).»
Po njësoj, përfaqësues të një prej Ministrive Federale të Gjermanisë falënderuan Dëshmitarët që po ngushëllonin njerëzit gjatë pandemisë COVID-19. Ata shpjegojnë: «Me anë të kësaj fushate po jepni një kontribut të çmuar, që të ruani unitetin e komunitetit dhe të shoqërisë në vendin tonë.»
Një anëtar i Senatit dhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kolumbi u shkruan vëllezërve në degë që t’i falënderonin për revistën. Ata thanë se do të flitnin me të tjerët për mesazhin e saj. Po ashtu, një zyrtar nga Ministria e Mjedisit dhe e Zhvillimit shkroi: «Shumë, shumë faleminderit që më dërguat revistën Kulla e Rojës me këtë mesazh jetëshpëtues!»
Frank Okiere, ambasadori i Ganës në Japoni, u shpreh me këto fjalë: «Revista ishte goxha edukative. Ajo flet për zgjidhjen e shumë prej problemeve që po has njerëzimi.»
Edhe një ambasador nga Azerbajxhani komentoi: «Ju falënderojmë që e dërguat në ambasadën tonë këtë botim të veçantë të Kullës së Rojës. E kam lexuar me shumë vëmendje.»
Biem dakord me fjalët e vëllait Amaro Teshera, që mbikëqyr Zyrën e Informacionit për Publikun në degën e Mozambikut: «Kjo fushatë i ka kaluar pritshmëritë tona. Mesazhi për Mbretërinë ka arritur aty ku nuk shkonte dot përpara.»
Pa dyshim që presim reagime të tjera plot mirënjohje nga zyrtarë dhe njerëz të tjerë, ndërsa mesazhi i Biblës do të vazhdojë të predikohet te «të gjithë ata që janë në poste të larta».—1 Timoteut 2:2.