Kalo te përmbajtja

5 GUSHT 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

Gjatë korrikut 2024 prezantohen 10 përkthime të reja të Biblës

Gjatë korrikut 2024 prezantohen 10 përkthime të reja të Biblës

Gjuha malave e shenjave

Më 5 korrik 2024, vëllai Kolin Karsën, anëtar i Komitetit të Degës në Malavi, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën malave të shenjave. Njoftimi u bë para një auditori me 331 të pranishëm gjatë ditës së parë të Kongresit Rajonal 2024 «Shpall lajmin e mirë!», në Lilongvë, Malavi. Botimi i ri u vu menjëherë në dispozicion në format dixhital në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library Sign Language.

Kjo është hera e parë që përkthehet i plotë botimi Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën malave të shenjave, të cilën e përdorin mbi 400.000 veta. Aktualisht, mbi 600 vëllezër e motra shërbejnë në 16 kongregacione dhe në 8 grupe të gjuhës malave të shenjave anekënd Malavisë.

Cibembe

Më 19 korrik 2024, vëllai Geixh Fligëll, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën cibembe. Njoftimi u dha ditën e parë të Kongresit Rajonal 2024 «Shpall lajmin e mirë!», që u mbajt në stadiumin «Levi Muanauasa» në Ndolë, Zambie. Gjatë këtij eventi ishin të pranishëm fizikisht 23.336 veta, kurse 5.920 të tjerë ishin lidhur nëpërmjet videokonferencës nga 5 ambiente të tjera ku zhvillohej kongresi. Të pranishmit në këto 6 kongrese morën një kopje të shtypur të Përkthimit Bota e Re. Bibla bashkë me regjistrimet audio të librit të Ruthës, 1 Gjonit, 2 Gjonit dhe 3 Gjonit u vunë menjëherë në dispozicion për t’u shkarkuar.

Për herë të parë, Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën cibembe dolën në vitin 2008. Ka rreth 4 milionë njerëz që flasin gjuhën cibembe në Zambie, përfshirë këtu edhe 131.351 vëllezërit e motrat që shërbejnë në 1.856 kongregacione dhe në 8 grupe të kësaj gjuhe në mbarë vendin.

Kiçe

Më 19 korrik 2024, vëllai Hozé Torres, anëtar i Komitetit të Degës në Amerikën Qendrore, prezantoi Biblën—Lajmi i mirë sipas Mateut në gjuhën kiçe gjatë Kongresit Rajonal 2024 «Shpall lajmin e mirë!», që u mbajt në San-Lukas-Sakatepekez, Guatemalë. Të 405 të pranishmit morën një kopje të shtypur të botimit të ri. Gjithashtu, ai u vu menjëherë në dispozicion në formatin dixhital në sitin jw.org dhe në aplikacionin JW Library.

Përllogaritet që gjuhën kiçe e flasin mbi 1 milion veta. Shumica jetojnë në Guatemalë, ku u formua edhe kongregacioni i parë i kësaj gjuhe në vitin 2010. Sot, 387 vëllezër e motra shërbejnë në 16 kongregacione të Guatemalës.

Çuabo/makua-meto/makua-shirima/nsenga (Mozambik)/fimbi/teve/tshua

Më 28 korrik 2024, në stadiumin kombëtar të Zimpetos, në Maputo, Mozambik, u mbajt një mbledhje speciale. Gjithsej 26.025 veta ishin të pranishëm fizikisht, ndërsa 64.570 të tjerë u lidhën me videokonferencë nga 16 ambiente.

Gjatë këtij eventi, vëllai Fligëll prezantoi disa përkthime të Biblës të cilat u vunë menjëherë në dispozicion në format të shtypur dhe dixhital. Ai prezantoi Biblën—Lajmi i mirë sipas Mateut në gjuhët makua-meto, makua-shirima dhe nsenga (Mozambik); Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhët çuabo, fimbi dhe teve; si edhe botimin e plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën tshua.

Vlen të theksohet se me prezantimin e këtyre përkthimeve të reja, tani Bibla Përkthimi Bota e Re disponohet e plotë ose e pjesshme në 300 gjuhë.