Kalo te përmbajtja

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë

9 GUSHT 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut merr vendim në favor të vëlla Rostom Aslanianit

Fitore për lirinë fetare në Transnistri

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut merr vendim në favor të vëlla Rostom Aslanianit

Më 13 korrik 2021, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi në favor të vëlla Rostom Aslanianit në një çështje ku përfshiheshin Moldavia dhe Rusia. Vëlla Aslaniani kishte vënë në pikëpyetje vendimin e autoriteteve në Transnistri (Republika Moldave e Pridnjestrovskajës) që e dënuan me burg ngaqë nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Kjo fitore siguron një precedent për të drejtat e lirisë fetare në Transnistri.

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar e njeh Transnistrinë si pjesë të Moldavisë, shteti i Rusisë është pjesë e një marrëveshjeje për të mbikëqyrur masat e sigurisë në këtë rajon. Të dyja këto shtete janë anëtare të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe duhet të respektojnë lirinë e ndërgjegjes.

Në vitin 2010, vëlla Aslanianin e thirrën për të kryer shërbimin ushtarak, por, për shkak të bindjeve të tij të bazuara në Bibël, ai kërkoi mundësi për të kryer një shërbimin alternativ. Më 29 mars 2011, autoritetet hodhën poshtë kërkesën e tij, e shpallën fajtor dhe e dënuan me një vit burg. Vëlla Aslaniani e kreu dënimin, por, më vonë, çështja e tij u paraqit pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në vendimin e saj, GJEDNJ-ja shqyrtoi vendime të mëparshme gjyqësore për të përcaktuar se nuk kishte asnjë bazë ligjore për të dënuar vëlla Aslanianin ngaqë nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjykata kuptoi se Rusia po ushtronte kontroll ushtarak, ekonomik dhe politik në Transnistri. Për këtë arsye, Gjykata deklaroi se përgjegjëse për këtë çështje ishte Rusia, jo Moldavia. GJEDNJ-ja arriti në përfundimin se autoritetet kishin shkelur lirinë fetare të vëlla Aslanianit duke e dënuar me një vit burg për «shmangie të shërbimit të detyrueshëm ushtarak» dhe tha se qeveria ruse duhet ta dëmshpërblejë plotësisht për vitin që kaloi në burg.

Gëzojmë për mbrojtjen ligjore që u siguron ky vendim vëllezërve në Transnistri. Kjo na bind edhe më shumë për dashurinë besnike dhe kujdesin e madh që tregon Jehovai për shërbëtorët e tij që përndiqen.—Psalmi 18:25.