30 MARS 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE
Gjykata në Krime dënon me gjashtë vite e gjysmë burg vëlla Viktor Stashevskin
PËRDITËSIM: Gjykata ruse hedh poshtë apelimin e vëlla Stashevskit
Më 10 gusht 2021, Gjykata e Qytetit të Sevastopolit hodhi poshtë apelimin e vëlla Viktorit. Tani hyn në fuqi dënimi i tij fillestar me gjashtë vite e gjysmë burg. Së shpejti do ta transferojnë nga qendra e paraburgimit, ku po e mbajnë që nga 29 marsi 2021 kur e shpallën fajtor, dhe do ta fusin në burg.
Më 29 mars 2021, Gjykata e Krahinës së Gagarinskit në qytetin e Sevastopolit, Krime, dënoi me gjashtë vite e gjysmë burg vëlla Viktor Stashevskin. Viktorin e arrestuan menjëherë dhe e futën në burg. Ai do ta apelojë vendimin.
Të dhëna
Viktor Stashevski
Lindur: 1966 (Kansk, territori i Krasnojarskut, Rusi)
Biografia: U transferua në Sevastopol, Krime, në vitin 1983. Në vitin 1993 u largua nga marina. Në vitin 2002 u martua me Larisën dhe kanë dy vajza. Gjithmonë i ka bërë përshtypje kompleksiteti e rregulli në univers dhe ka dashur të njohë Krijuesin. Studimi i Biblës i ka dhënë kuptim jetës së tij. Në vitin 2004 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait
Historiku i çështjes
Më 4 qershor 2019, policë të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB) kontrolluan dhjetë shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait në Sevastopol. Disa nga bastisjet zgjatën deri në katër orë. Gjatë atyre orëve, policët e FSB-së nuk i lejonin vëllezërit dhe familjet e tyre as të pinin ujë, as të shkonin në tualet. Gjithashtu u përpoqën t’i frikësonin vëllezërit duke i kërcënuar se do t’u dëmtonin pronën dhe se do të fshihnin drogë në shtëpitë e tyre që t’i akuzonin për krim.
Si rezultat i kontrolleve, arrestuan vëlla Viktor Stashevskin dhe e mbajtën një natë në burg. Atë e akuzojnë si «lider të një organizate ekstremiste». E vërteta është se ai ndodhet në burg për shkak të bindjeve fetare. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të tij kushtetuese.
Viktori thotë se programi i rregullt i leximit të Biblës dhe meditimi rreth saj, e kanë ndihmuar të jetë i guximshëm dhe të qëndrojë me gëzim. Në veçanti, i japin shumë forcë fjalët e mbretit David te Psalmi 62:5-8. Duke folur për të gjitha sprovat, Viktori tregon: «Miqësia ime me Jehovain është forcuar, sepse ka qenë gjithnjë në krahun tim dhe është bërë personi më i afërt për mua. Nuk kam dyshuar për asnjë çast se Jehovai i sheh vuajtjet e mia dhe dëshirën që kam për t’i qëndruar besnik dhe se në kohën e duhur do të dalë në mbrojtjen time për hir të emrit të tij të madhërishëm.»
Jemi të sigurt se Jehovai do ta mbështetë dhe do ta bekojë Viktorin, familjen e tij dhe të gjithë vëllezërit e motrat që po qëndrojnë përballë përndjekjeve. Jehovai do të vazhdojë të jetë streha dhe kalaja e tyre.—Psalmi 91:2.