Kalo te përmbajtja

JW Stream–Studio u jep mundësi lajmëtarëve (majtas) të shohin oratorë vendës (djathtas) teksa mbajnë fjalimet e asamblesë qarkore drejtpërsëdrejti

1 PRILL 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE

Hapet JW Stream–Studio

Hapet JW Stream–Studio

Tani lajmëtarët mund ta ndjekin drejtpërsëdrejti asamblenë qarkore

Kohët e fundit Dëshmitarët e Jehovait kanë prezantuar JW Stream–Studio, një sit i ri i projektuar për të transmetuar drejtpërsëdrejti online asambletë qarkore me mbikëqyrësin qarkor. Më 6 dhe 7 mars 2021, në mbarë botën u mbajtën 340 asamble qarkore me këtë metodë. Këto programe i ndoqën më shumë se 500.000 veta.

Për çdo asamble qarkore ka vëllezër vendës në dispozicion për të ndihmuar me anën teknike

Pak pasi filloi pandemia, Komiteti i Mësimit i Trupit Udhëheqës udhëzoi Repartin e Broadcasting në selinë botërore që të zhvillonin një sit që t’u jepte mundësi mbikëqyrësve qarkorë të mbanin asambletë qarkore online, që mund të transmetoheshin drejtpërsëdrejti. Synimi ishte të krijonin një sit që t’u jepte mundësi mijëra vetave të shihnin drejtpërsëdrejti një program të caktuar.

Reparti i Broadcasting caktoi një grup të vogël me motra e vëllezër për t’u marrë me këtë projekt. Gjatë punës, ky grup duhej të gjente zgjidhje për disa probleme të vështira.

Për shembull, duhej të zhvillonin një sit të thjeshtë për t’u përdorur, sepse me të do të punonin vëllezër me përvojë të ndryshme në fushën e teknologjisë. Gjithashtu duhej të funksiononte mirë edhe kur linja e internetit të mos ishte e shpejtë. Veç kësaj, Reparti i Broadcasting bashkëpunoi me Repartin e Kompjuterëve në selinë botërore që të siguronin servera kompjuterikë të mjaftueshëm për të përballuar trafikun e madh të internetit në këtë sit.

Vëlla Aleks Hernandezi që punon në Repartin e Broadcasting, thotë: «Caktimi për të krijuar një sit ku mund të mbaheshin njëkohësisht qindra asamble, ishte emocionues dhe paraqiste shumë sfida. Kishim një skuadër të vogël me programues, dhe për shumë prej tyre ishte hera e parë që krijonin një sit për komunikim në kohë reale.»

Modelet e para për JW Stream–Studio përfunduan në maj 2020. Vetëm pesë muaj më vonë, në tetor 2020, Reparti i Broadcasting nisi provat në terren me ndihmën e mbikëqyrësve qarkorë në gjashtë shtete. Falë këtyre provave, Reparti i Broadcasting zbuloi dhe ndreqi problemet e sitit para se të hapej zyrtarisht. Gjatë programeve të para që u transmetuan drejtpërsëdrejti, ishte në dispozicion një skuadër me 17 vëllezër e motra për të dhënë mbështetje teknike.

Familja Amadiz në Shtetet e Bashkuara bën një foto para se të fillojë asambleja qarkore, e cila u transmetua drejtpërsëdrejti nëpërmjet JW Stream–Studio

Aleksi shton: «Sa herë që dilte një problem, ndalonim dhe luteshim për ndihmë. Kur gjenim zgjidhjen, ishim të sigurt se Jehovai po na ndihmonte.»

Tashmë shumë vëllezër e motra kanë shprehur mirënjohjen për këtë sit.

Vëlla Kajro Espinoza në Kolumbi, thotë: «Programi i asamblesë që u transmetua përmes JW Stream–Studio na e forcoi unitetin e krishterë dhe na dha mundësi të ndiheshim më pranë vëllezërve. Gjithashtu, dijenia se transmetimi ishte drejtpërsëdrejti, na ndihmoi të përqendroheshim vërtet te fjalimet që po mbaheshin. Nuk donim të humbitnim asgjë. Ishte një bekim i mrekullueshëm!»

Motër Magali Rejmundo në Shtetet e Bashkuara, tregon: «E di që informacioni është njësoj edhe kur është i regjistruar paraprakisht, por e shijoj vërtet kur shoh fytyra të njohura duke mbajtur fjalime drejtpërsëdrejti.»

Që kur filloi, JW Stream–Studio është përdorur për të mbajtur mbi 800 asamble qarkore. I jemi mirënjohës Jehovait që na ka siguruar një mjet tjetër për të na ndihmuar të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të dhe të bashkuar me motrat e vëllezërit!—Psalmi 133:1.