3 QERSHOR 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE
Kongreset speciale 2024 «Shpall lajmin e mirë!» nisin në Guadelupë
Nga data 7 deri më 9 qershor 2024, u mbajt kongresi i parë special më temë «Shpall lajmin e mirë!» në stadiumin «Vélodrome Amédée Détraux», në Bei-Mau, Guadelupë. Gjithsej do të mbahen 15 kongrese speciale, nga qershori deri në tetor 2024. a Është hera e parë që po mbahen kongrese speciale që kur u desh të anuloheshin kongreset speciale në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Vëllezër e motra nga vende të ndryshme janë ftuar të marrin pjesë si delegatë në këto kongrese speciale. Shumë prej këtyre programeve do të mbahen në disa gjuhë, dhe kjo i shton atmosferën ndërkombëtare këtyre eventeve. Në Guadelupë, për shembull, programi u prezantua njëkohësisht në gjuhët angleze, frënge, kreole të Guadelupës dhe spanjolle.
Bëhen shumë përgatitje para se të vijnë delegatët ndërkombëtarë. Për shembull, në Guadelupë, mbi gjysma e 8.546 vëllezërve e motrave që jetojnë atje, kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar me përgatitjet për 1.500 delegatët nga 11 vende. Një motër, e cila ndihmoi bashkë me burrin, tha: «Ka qenë viti më i bukur i jetës sime! S’do ta harroj kurrë! Kam kaluar kaq shumë kohë të gëzueshme duke punuar sup me sup me vëllezërit e motrat, dhe kjo më ka ndihmuar të kuptoj më mirë si do të jetë jeta në botën e re. Jam shumë krenare që bëj pjesë në organizatën e Jehovait!»
Bashkë me familjen mbarëbotërore, jemi të sigurt se kongreset e ardhshme speciale 2024 «Shpall lajmin e mirë!» do ta shtojnë unitetin e popullit të Perëndisë dhe do t’i sjellin lavdi Atit tonë qiellor, Jehovait.—Filipianëve 1:27.
a Kongreset speciale do të mbahen në vendet e mëposhtme: Sofie, Bullgari; Santiago 1, Kili; Santiago 2, Kili; Pragë, Republika Çeke; Santo-Domingo, Republika Domenikane; Suvë, Fixhi; Helsinki, Finlandë; Lion, Francë; Bei-Mau, Guadelupë; Budapest, Hungari; Rejkjavik, Islandë; Asuncion, Paraguai; Zyrih, Zvicër; Filadelfia, Shtetet e Bashkuara dhe Tampë, Shtetet e Bashkuara.