3 SHTATOR 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE
Kongresi 2020—Kongresi i parë virtual mbarëbotëror
Gjatë muajve korrik e gusht 2020, miliona vëllezër e motra, si dhe njerëz të interesuar për Biblën, panë në të njëjtën kohë programin e kongresit 2020.
Kongresi i shumëpritur «Gëzoni përherë» ishte programuar të mbahej në 240 vende: në Salla Asamblesh, arena, qendra kongresesh dhe stadiume. Për të mbrojtur shëndetin e të pranishmëve, Trupi Udhëheqës vendosi t’i zëvendësonte këto kongrese rajonale me një event virtual mbarëbotëror. Kjo është hera e parë që nga viti 1897 që organizata nuk transmeton një kongres drejtpërdrejt.
Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës, tha: «Kur u anuluan kongreset rajonale, kishim synim të mbanim një event ndërkombëtar, me qëllim që të gjithë ta ndiqnin programin në të njëjtën kohë. E dinim që programi duhej përgatitur në qindra gjuhë në më pak se katër muaj. Një projekt si ky, zakonisht kërkon një vit ose më shumë planifikim dhe realizim. Jemi shumë të kënaqur që pjesa e parë e programit ishte në dispozicion në gati 400 gjuhë më 6 korrik 2020, dhe presim të vihet në dispozicion në 511 gjuhë!»
Një motër, nënë e vetme me tre fëmijë, komenton për dobitë e këtij programi virtual: «Edhe pse na merr malli të jemi me vëllezërit e motrat, kjo masë ishte fantastike për fëmijët. Ishin goxha të përqendruar ndërsa shihnin programin pjesë-pjesë. Nëse kishin nevojë për një pushim të shkurtër, e ndalonim programin. Asnjëri nuk humbi qoftë edhe një minutë. Sesioni i së premtes theksonte se fëmijët janë si shigjeta që duhen drejtuar drejt një jete të lumtur dhe kuptimplotë në shërbim të Jehovait. Ky format virtual po më ndihmon të bëj tamam këtë.»—Psalmi 127:4.
Ky kongres virtual historik tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare. Për shembull, vëllai Robert Hendriks, që mbikëqyr veprimtaritë e Zyrës Vendëse të Informacionit për Publikun në Shtetet e Bashkuara, komenton: «Për kongresin virtual kanë shkruar shumë e shumë gazetarë. Lajmet shpjegonin se organizata jonë e ka përdorur teknologjinë për të transmetuar programin e kongresit në një mënyrë që secili ta ndiqte i sigurt.»
Kongresi 2020 «Gëzoni përherë» na tregoi në një mënyrë të re dhe emocionuese se Jehovai është Mësuesi ynë i Madh.—Isaia 30:20.