Kalo te përmbajtja

Venezuelë: një motër po regjistron në gjuhën varao (lart majtas), dhe dy vëllezër nga skuadra e përkthimit të gjuhës piaroa gjatë punës (poshtë majtas). Koreja e Jugut: një familje po sheh programin e kongresit të vitit 2020 (djathtas)

4 SHTATOR 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Kongresi 2020—Përkthyesit i përballojnë me sukses sfidat

Kongresi 2020—Përkthyesit i përballojnë me sukses sfidat

Kongresi i vitit 2020 «Gëzoni përherë» ishte një nga kongreset më të paharrueshme në historinë moderne të Dëshmitarëve të Jehovait. Programi i tij u përkthye në mbi 500 gjuhë dhe u vu në dispozicion që njerëzit ta ndiqnin nga shtëpitë e tyre. Përkthyesve iu desh të përballonin sa e sa vështirësi, përfshirë këtu mungesën e disa pajisjeve dhe kohën e limituar.

Një pjesëtare e skuadrës së përkthimit për gjuhën kikuju në Kenia, tha: «Zyra e degës u mbyll, prandaj kishim vetëm pak veta në dispozicion për të dubluar personazhet. Megjithatë ia dolëm mbanë, se përdorëm vëllezër e motra që na ndihmuan nga shtëpitë e tyre. Për ne ishte privilegj të shihnim frymën e Jehovait në veprim.»

Skuadra e gjuhës koreane të shenjave dhe ajo e gjuhës koreane hasën sfida të ngjashme. Vëllezërit e motrat që punojnë nga shtëpitë e tyre për përkthimin, nuk mund të vinin më në Bethel për fazën e regjistrimit.

Një studio e përkohshme në shtëpinë e një vëllai për të regjistruar fjalimet dhe videot në gjuhën koreane të shenjave

Për të kapërcyer këtë pengesë, vëllezërit improvizuan studio regjistrimi në shtëpitë e tyre. Lajmëtarët vendës dhuruan pjesën më të madhe të pajisjeve të regjistrimit. Veç kësaj, meqë të gjitha asambletë qarkore u anuluan, dega i përdori disa nga kamerat e Sallave të Asambleve për të regjistruar programin në gjuhën e shenjave.

Për disa përkthyes në Venezuelë, problemi ishte interneti i dobët. Të tjerë nuk kishin të gjitha pajisjet e nevojshme. Gjithsesi, këta përkthyes kreativë përdorën gjithë sa kishin në dispozicion për të realizuar punën. Për shembull, në një zonë përkthyesit përdorën dyshekë për të thithur zhurmat gjatë regjistrimit.

Një nga përkthyesit e skuadrës së gjuhës zande në Jubë, Sudani i Jugut, thotë: «Kur mora vesh se do të regjistronim të gjithë programin e kongresit, thashë me vete: ‘Është e pamundur! Nuk do të arrijmë kurrë ta regjistrojmë tërë programin që ka më shumë se 90 materiale audio dhe video brenda dy muajsh.’ Tani që projekti është realizuar me sukses, jam plotësisht i bindur se asgjë nuk e pengon dot Jehovain të plotësojë vullnetin e tij. Më mahnit mënyra si i bën Ai gjërat!»—Mateu 19:26.

Programi i kongresit të vitit 2020 «Gëzoni përherë» ishte vërtet dhuratë nga Jehovai, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën».—1 Timoteut 2:4.