23 KORRIK 2021
LAJME NDËRKOMBËTARE
Krenarë që mbajmë emrin Dëshmitarë të Jehovait prej 90 vjetësh
Të dielën më 26 korrik 1931, vëlla Xhozef Radhërfordi, në atë kohë president i Watch Tower Bible and Tract Society, foli para një auditori me mbi 15.000 të pranishëm në kongresin në Kolumbus, Ohajo, SHBA. Një pjesë e programit u transmetua në më tepër se 450 stacione radiofonike anekënd botës. Ishte hera e parë që një program radiofonik transmetohej në aq shumë stacione në tërë botën. Vëlla Radhërfordi prezantoi edhe një rezolutë shumë të rëndësishme me titull «Një emër i ri». Në të ishte kjo shprehje: «Dëshirojmë të njihemi dhe të thirremi me këtë emër, domethënë, Dëshmitarë të Jehovait.» (Shih kutinë « Rezoluta».) Auditori tregoi se ishte dakord me këtë kur tha me zë të lartë «Po!» dhe shpërtheu në duartrokitje të fuqishme.
Vëlla Artur Uorsli, historia e të cilit u botua më 1986, tha për këtë event: «Kurrë nuk do t’i harroj brohoritjet dhe duartrokitjet e fuqishme që kumbuan në vendin ku ishim mbledhur.»
Rezolutën e dëgjuan edhe në vende të tjera, sepse u transmetua në radio. Vëllai dhe motra Barber në Australi sjellin ndër mend: «Kur duartrokitja nisi në Amerikë, vëllezërit në Melburn brofën në këmbë dhe duartrokitën.» Rezolutën arriti ta dëgjonte edhe një grup i vogël në Japoni, ku ishte edhe motër Matsue Ishi. Më vonë ajo shkroi: «Brohoritëm plot gëzim bashkë me vëllezërit tanë në Amerikë.»
Disa thanë se bizneset në qytetin ku u mbajt kongresi, në Kolumbus, Ohajo, të cilat kishin vënë tabela mirëseardhjeje për Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, i zëvendësuan me tabela ku lexohej: «Mirë se erdhët, Dëshmitarë të Jehovait!» Më 28 korrik 1931, gazeta Lajmëtari, që botonte Watch Tower Bible and Tract Society dhe që raportonte lajmet për kongreset tona, përdori për herë të parë emrin Dëshmitarë të Jehovait.
Shpejt pas kongresit, vëllezërit e motrat morën pjesë në një fushatë në shumë gjuhë. Ata shpërndanë broshurën Mbretëria, shpresa e botës, që përmbante rezolutën me emrin e ri. Brenda dy muajsh e gjysmë u shpërndanë mbi 5 milionë broshura, shumë prej të cilave udhëheqësve fetarë, autoriteteve qeveritare dhe biznesmenëve.
Vëlla Martin Pocingeri tha për atë kohë: «Kur prezantoheshim me fjalët ‘Sot kam ardhur si Dëshmitar i Jehovait’, në çdo derë shihnim fytyra të çuditura. Disa tundnin kokën ose pyetnin: ‘Por jeni prapë studentë të Biblës, apo jo?’» (Shih kutinë « Kartëvizitat e vogla prezantojnë emrin e Jehovait».) Duke folur për disa vite më vonë, vëlla Pocingeri shkroi: «Çfarë ndryshimi! Para se të hapja gojën, njerëzit thoshin: ‘Ti duhet të jesh Dëshmitar i Jehovait.’»
Vëlla Mekmillëni, që po ashtu, ndoqi kongresin në vitin 1931, më vonë shpjegoi pse emri ishte aq i përshtatshëm. Ai tha: «Mendoj se ishte ide gjeniale, sepse ky titull i tregonte botës çfarë po bënim dhe cili ishte qëllimi ynë. Para kësaj ne quheshim Studentë të Biblës. Pse? Sepse ashtu ishim. Më pas, kur njerëz nga vende të tjera nisën të studionin me ne, u quajtëm Studentë Ndërkombëtarë të Biblës. Mirëpo tani jemi dëshmitarë për Perëndinë Jehova dhe ky titull u tregon të tjerëve fiks cilët jemi dhe çfarë po bëjmë.»
Sot, miliona veta rreth e qark globit janë krenarë që quhen Dëshmitarë të Jehovait.—Isaia 43:10-12.