7 NËNTOR 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE
Kulla e Rojës në portugalisht botohet prej një shekulli
Në vitin 1923, vëlla Xhorxh Jangu mbërriti në Brazil për të hapur një zyrë dege dhe për të organizuar veprën e predikimit atje. Asokohe, në atë vend disponohej vetëm botimi në anglisht i revistës Kulla e Rojës dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit (që sot quhet Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait). Menjëherë, vëlla Jangu mori masa që Kulla e Rojës të përkthehej në portugalisht dhe të shtypej nga një shtypshkronjë vendëse. Si rezultat, në tetor të vitit 1923 u botua numri i parë i revistës Kulla e Rojës në gjuhën portugeze. Tri vite më vonë, zyra e degës mori një shtypshkronjë nga Selia Botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, SHBA. Kështu vëllezërit në degën e Brazilit filluan t’i shtypnin vetë revistat.
Më 1925, dy vjet pas botimit të revistës së parë Kulla e Rojës në portugalisht në Brazil, vëllezërit në Portugali filluan të përkthenin Kullën e Rojës në gjuhën portugeze të Evropës. Mirëpo, në vitin 1933, Dëshmitarët nisën të hasnin gjithnjë e më shumë kundërshtime kur në pushtet erdhi një qeveri diktatoriale. Pa kaluar shumë, puna e përkthimit në Portugali u ndalua. Gjatë dekadave që vijuan, motrat e vëllezërit tanë në Portugali kishin vetëm Kullën e Rojës në portugalisht që botohej në Brazil. Një motër që quhej Izabel, e cila jetonte në Portugali gjatë asaj kohe, tregonte: «Në vend që të përqendrohesha te ndryshimet gramatikore dhe të fiksohesha te kuptimi i fjalëve, zgjidhja ta përqendroja mendjen dhe zemrën te mesazhi. I jam thellësisht mirënjohëse vëllezërve tanë brazilianë që përkthenin literaturën në portugalisht, kur për ne në Portugali ishte e vështirë t’i kishim botimet në gjuhën tonë.»
Në vitin 1961, kur doli botimi njëvëllimësh i Përkthimit Bota e Re në anglisht, u dha miratimi që të përkthehej në 6 gjuhë të tjera, ndër to edhe në portugalisht. Ndonëse ishte e vështirë, synimi i skuadrës së përkthimit për gjuhën portugeze në Brazil ishte të përdorte fjalë që do t’i kuptonin kollaj njerëzit në çdo shtet ku flitej portugalisht. Për dekada me radhë, u përpoqën fort të zbatonin të njëjtin parim edhe kur përkthenin Kullën e Rojës në portugalisht. Gjithsesi, më 2017, u dha miratimi për ta përkthyer Kullën e Rojës në portugalishten e Brazilit dhe në portugalishten e Portugalisë.
Anekënd botës ka rreth 1,2 milion lajmëtarë që flasin gjuhën portugeze, dhe rreth 260 milionë portugalishtfolës mund të nxjerrin dobi nga Kulla e Rojës në gjuhën e tyre. Lutemi që këta dhe mjaft të tjerë në mbarë botën të mësojnë gjithnjë e më shumë «për gjërat madhështore të Perëndisë».—Veprat 2:11.