Kalo te përmbajtja

Godinat e Degës së Britanisë, në Çelmsford, Angli. Fotografia e vogël: vëllai Keneth Kuk duke mbajtur fjalimin e kushtimit

27 MAJ 2024
LAJME NDËRKOMBËTARE

Kushtimi i Degës së Britanisë mbledh vizitorë nga mbi 60 vende

Kushtimi i Degës së Britanisë mbledh vizitorë nga mbi 60 vende

Më 18 maj 2024, u kushtuan godinat e reja të degës në Çelmsford, Angli. Fjalimin e kushtimit e mbajti vëllai Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës. Programin e ndoqën gjithsej 1.518 vëllezër e motra të mbledhur në 4 auditore në pronën e degës. Të pranishëm ishin edhe disa anëtarë të Trupit Udhëheqës dhe ndihmës të komiteteve të tyre. Kurse 10.085 të tjerë u lidhën me programin nëpërmjet videokonferencës nga disa Salla Asamblesh dhe qendra arsimimi të Biblës, në pjesë të ndryshme të Irlandës dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ndër të pranishmit ishin mbi 3.000 veta nga rreth 11.000 vëllezërit e motrat që ndihmuan në projektin e ndërtimit të degës.

Vëllezër e motra në Sallën e Asambleve të Peninit Lindor në Rotherham, Angli, duke dëgjuar me vëmendje fjalimin e kushtimit

Ditën vijuese, 172.834 veta shijuan një program special të bazuar në Bibël, i cili u transmetua për 1.821 kongregacionet anekënd territorit të degës.

Gjatë javës para kushtimit, të ftuarve iu dha mundësia të vizitonin godinat e degës. Ishin përgatitur ekspozita interaktive që i prezantonin vizitorët me punën që bëhet në Bethel, e cila mbështet aktivitetet e Mbretërisë në territorin e degës dhe në mbarë botën. Për shembull, Skuadra Rajonale e Videos tregoi hap pas hapi procesin e përgatitjes dhe të prodhimit të një videoje të bazuar në Bibël dhe i ftonte mysafirët të shikonin drejtpërsëdrejti filmimet në një shesh xhirimi.

Majtas: një motër po përgatit disa ushqime të thjeshta. Djathtas: Skuadra Rajonale e Videos demonstron si prodhohen videot e organizatës

Vëllezër e motra duke parë Cilindrin e Kirit gjatë vizitës në Muzeun Britanik të Londrës, Angli

Përveç këtyre aktiviteteve, shumë vëllezër e motra shijuan edhe ture të tjera jashtë Bethelit. Për shembull, vizituan vende historike në qytetin e Londrës dhe në provincën e Kentit, që të mësonin më shumë për historinë e Biblës në Angli.

Duke folur për këtë javë emocionuese plot aktivitete, vëllai Riçard Kuk, anëtar i Komitetit të Degës në Britani, tha: «Ishte e mrekullueshme të shihje vëllezër e motra nga shumë vende të botës të mbledhur së bashku për këtë rast kaq special. Kemi mbetur pa fjalë me mënyrën si na ndihmoi Jehovai të kapërcenim pengesat dhe të organizonim këtë kushtim të gëzueshëm të degës, që i dha lavdi emrit të tij.»

Bashkohemi me gjithë zemër me vëllezërit e motrat në territorin e degës së Britanisë dhe ‘jemi mbushur me hare’ tani që këto godina të bukura të degës i janë kushtuar Perëndisë tonë, Jehovait.—Nehemia 12:43.